Sektori i ndërtimit mbetet një nga prioritetet kryesore të Administratës Tatimore në kuadër të luftës kundër evazionit fiskal dhe informalitetit në ekonomi.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të kryera së fundmi, Administrata Tatimore ka zbuluar një rast të dyshuar evazioni fiskal që lidhet me një rrjet agjencish imobiliare që operojnë në disa qytete të vendit.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave paraprake, nga analizat dhe hetimet administrative janë konstatuar rreth 3,4 milionë euro të ardhura të padeklaruara, të cilat dyshohet se nuk janë reflektuar në dokumentacionin tatimor në përputhje me detyrimet ligjore.
Administrata Tatimore bën të ditur se kontrollet në sektorin e ndërtimit dhe në aktivitetet e lidhura me tregun e pasurive të paluajtshme do të vijojnë në të gjithë vendin, me fokus identifikimin e rasteve të fshehjes së të ardhurave, mosdeklarimit të transaksioneve dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit tatimor.
Sipas DPT-së, qëllimi i këtyre veprimeve është garantimi i zbatimit të ligjit, rritja e transparencës financiare dhe mbrojtja e konkurrencës së ndershme në treg.
Administrata Tatimore u bën gjithashtu thirrje qytetarëve dhe bizneseve të kontribuojnë në luftën kundër evazionit fiskal, duke raportuar çdo rast të dyshuar shkeljeje përmes aplikacionit “Denonco Evazionin”.
“Lufta kundër informalitetit mbetet një nga prioritetet kryesore për forcimin e administrimit tatimor dhe krijimin e një mjedisi të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë”, bën të ditur DPT.
