Një truall me vlerë të lartë ekonomike, i ndodhur pranë stadiumit “Air Albania” në Tiranë, është kthyer në një nga episodet më të forta të dosjes së fundit të SPAK, ku në qendër janë emra të njohur të krimit të organizuar, trafikut ndërkombëtar të drogës dhe botës së biznesit.
Bëhet fjalë për një pronë të shpronësuar nga shteti për ndërtimin e të ashtuquajturës “Shkolla e Biçikletave”, një projekt publik që, sipas hetimeve, dyshohet se ka prodhuar përfitime financiare edhe për persona të lidhur me grupet kriminale.
Të lidhura
None found
Në dokumentet hetimore rezulton se mes përfituesve të kompensimit për këtë truall janë Denis Matoshi, i njohur ndryshe si Eldi Dizdari, i konsideruar si një nga figurat kryesore të kartelit “Bello”, si dhe Artur Shehu e Elton Memeti. Emrat e tyre dalin në skemën e pronësisë dhe kompensimit, e cila tashmë është bërë pjesë e hetimit të SPAK.
Sipas dosjes, vlera paraprake e shpronësimit për pjesën takuese të Denis Matoshit llogaritej në rreth 8.1 milionë lekë. Aktualisht, kjo pasuri rezulton e konfiskuar, ndërsa prokurorët po hetojnë rrugën përmes së cilës prona ka kaluar në transaksione të ndryshme deri në fazën e kompensimit nga shteti.
Dyshimet e SPAK lidhen me faktin se përmes lëvizjeve të shumta të pronësisë dhe procedurave të shpronësimit, persona të lidhur me grupe kriminale mund të kenë përfituar para publike nga buxheti i shtetit.
Rasti merr peshë edhe më të madhe për shkak të vendndodhjes së truallit. Prona ndodhet ngjitur me stadiumin “Air Albania”, në një nga zonat më të shtrenjta dhe më të lakmuara të Tiranës për zhvillim urban, ndërtim dhe investime private.
LEXO edhe SPAK sekuestron hotelin luksoz me 5 yje në Jalë, pjesë e pasurive 150 milionë euro të grupit kriminal
LEXO edhe BKH zbarkon te biznesmenë ndërtimi/ Kontroll te Redi Peza i “Porto Lalzit”, Ardi Kollçaku i “Anchor Invest”, si dhe te Kujtim Shtufi i “Ferro Beton”
Pamjet e truallit tregojnë qartë pozicionin strategjik të truallit, i cili ndodhet në një zonë ku interesi ekonomik është shumë i lartë. Pikërisht kjo e bën edhe më të rëndësishëm hetimin mbi origjinën e pronësisë, transaksionet e kryera dhe mënyrën se si shteti ka përfunduar duke kompensuar persona të përfshirë në dosje kriminale.
Dosja e SPAK pritet të hedhë më shumë dritë mbi mekanizmin e përdorur për këtë pronë, ndërsa episodi i truallit pranë “Air Albania” ngre edhe një herë pyetjen e madhe: sa prona me vlerë në Tiranë kanë kaluar përmes skemave të ngjashme, duke përfunduar në duart e krimit të organizuar apo duke prodhuar përfitime financiare për të? /albeu.com/
