ASH: Studentët duan provimin e jurisprudencës plotësisht në shqip, jo slogane e kalkulatorë

Studentët shqiptarë kërkuan që provimi i jurisprudencës të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe, pa slogane dhe pa përllogaritje me orë e kalkulatorë.

Përkundër kësaj, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, u ofron atyre 12 lëndë në shqip dhe 2 në maqedonisht, duke e cilësuar këtë si një arritje.

Të lidhura

None found

Një qëndrim i tillë bie ndesh me atë që i njëjti person mbante në muajin shkurt të këtij viti, kur si profesor universitar e quante refuzimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve, me arsyetimin se provimi vlerëson njohuritë juridike dhe jo njohjen e gjuhës maqedonase.

Prandaj, Shasivari duhet t’u shpjegojë studentëve shqiptarë se çfarë ka ndryshuar nga shkurti deri në tetor: Kushtetuta, ligjet apo qëndrimi i tij?

Në maj, VLEN premtonte se zgjidhja nuk do të ishte gjysmake, por e plotë dhe afatgjatë. Vetëm pesë muaj më vonë, ministri i tyre sjell një propozim të pjesshëm, të cilin studentët e kanë refuzuar.

Deklarata e Shasivarit se “Do të flitet shqip o taj” bëhet edhe më ironike, kur propozimi i tij parashikon që një pjesë e provimit të mbetet në maqedonisht.

Shasivari gjithashtu duhet të tregojë se në cilën dispozitë ligjore e mbështet kufizimin e dy lëndëve praktike. Nëse në shkurt e konsideronte këtë si një të drejtë të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, përse sot kërkon interpretime dhe konsultime të reja?

Ligjet nuk ndryshojnë sipas postit që mbani, dhe parimet juridike nuk mund të vlejnë ndryshe për profesorin Shasivari dhe ndryshe për ministrin Shasivari, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.


Shtuar më 21.10.2026 12:00