Policia e Tiranës, ka lëshuar një apel urgjent për qytetarët e Kamzës dhe zonave përreth, në kuadër të operacionit për kapjen e Sadik Llanit, i dyshuar si autor i vrasjes së 26-vjeçarit Ardian Baloshi, ditën e sotme në rrugën “Dervish Luzha”.
Sipas Policisë, i dyshuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se është i armatosur, ndaj qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo përpjekje për ta ndaluar apo për t’u përballur me të.
Të lidhura
None found
Për lokalizimin dhe arrestimin e tij janë angazhuar forcat speciale RENEA, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Policisë së Tiranës, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.
Policia u bën thirrje qytetarëve që, nëse e konstatojnë Sadik Llanin ose kanë informacion për vendndodhjen e tij, të njoftojnë menjëherë autoritetet në numrin 112 ose në numrin 069 41 05 735.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se është vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion të saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit.
Njoftimi i policisë:
DREJTORIA VENDORE E POLICISË TIRANË
Apel për kujdes dhe bashkëpunim për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit në Kamëz.
Nisur nga rrezikshmëria e lartë e autorit të dyshuar për vrasjen e shtetasit A. B., 26-vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon ndaj qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, shtetasi Sadik Llani, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që, nëse konstatojnë këtë shtetas ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Policia e Tiranës garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët.
