Me debate dhe tensione është zhvilluar procesi i zgjedhjes së kreut të Partisë Demokratike në degën e Korçë, ku situata është përshkallëzuar deri në përfshirjen e figurave politike lokale, përfshirë edhe deputetin e zonës, Fidel Kreka.
Procesi i votimit është pezulluar dy herë gjatë zhvillimit të tij, pas raportimeve se disa persona janë paraqitur për të votuar pa qenë të përfshirë në listat e anëtarësisë ose pa dokumentacionin përkatës. Kjo ka ndezur debate të forta mes palëve, me akuza për parregullsi dhe pretendime për lista të manipuluara.
Të lidhura
None found
Nga njëra anë, përfaqësuesi i procesit Ivi Kaso ka deklaruar se gjithçka lidhet me respektimin e rregullave dhe verifikimin e votuesve, duke theksuar se procedurat po ndiqen në mënyrë strikte.
Ndërsa nga ana tjetër, kandidati Harito Zoto ka kundërshtuar ashpër zhvillimet, duke pretenduar se një numër i konsiderueshëm anëtarësh janë lënë jashtë listave në mënyrë të padrejtë, çka sipas tij cenon integritetin e gjithë procesit zgjedhor.
Lidhur me këto tensione ka reaguar edhe ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji. Përpos pamjeve që ka postuar, Salianji ka përgëzuar demokratët e qytetin të Korçës duke theksuar se po kundërshtojnë regjimin “Rama-Berisha”.
“Demokratët janë guximtarë, jo dele! I përgëzoj që nuk po lejojnë bashkëqeverisjen në Korçë!
Demokratët e Korçës nuk pranojnë imponime nga njerëz që nuk dihet nga vijnë e kujt i shërbejnë. Është e papranueshme që regjimi Rama-Berisha të kërkojë haptas që Partia Demokratike, dega Korçë, t’i falet Niko Peleshit.
Peleshin demokratët e mundin me votë; nuk pranojnë që ai t’i drejtojë nga prapaskena, me kulisa, tendera dhe përfitime. Korça nuk shitet, demokratët nuk përdoren”, shkruan Salianji.
