Irani nuk ka nevojë për fitore, ka nevojë për nesër

Nga Mario Bineri

(Si durimi po bëhet arma më e rrezikshme e Teheranit)

Të lidhura

None found

Në gjashtë ditët e para të luftës, Pentagoni i raportoi Kongresit një faturë prej 11.3 miliardë dollarësh. Kjo është rreth 1.88 miliardë dollarë në ditë ose, nëse preferoni, 21,800 dollarë cdo sekondë. Kjo e bën Operacionin Epic Fury fushatën ajrore më të shtrenjtë hapëse në historinë ushtarake amerikane. Por shifrat vetëm tregojnë gjysmën e historisë. Pyetja e vërtetë nuk është sa po shpenzon Amerika por sa gjatë mund ta mbajë këtë ritëm.

Irani nuk ka fituar asnjë luftë në 40 vjet, por është akoma këtu.

Logjika iraniane është e thjeshtë dhe brutale: shpenzo pak, detyro kundërshtarin të shpenzojë shumë. Gjatë luftës 12-ditore të qershorit 2025, Irani lëshoi mbi 2,000 dronë dhe 500 raketa balistike nderkohe qe SHBA konsumoi deri në 30% të stoqeve të saj THAAD për t’i ndalur. Një raketë iraniane Fattah kushton rreth 500,000 dollarë, ne kontrast interceptori që e shkatërron kushton 12.7 milionë. Çdo sulm iranian, edhe kur dështon, i kushton Amerikës njëzet e pesë herë më shumë sesa i ka kushtuar Iranit.

Mbi te gjitha nuk ka pasur asnjë dorëzim të ri interceptorësh THAAD që nga gushti 2023, dhe prodhimi i ri pritet të fillojë në prill te 2027.Kjo nuk është vetëm problem financiar por nje dobësi strategjike. Çdo muaj konflikt zbraz rezerva që do të duheshin në Ukrainë ose Tajvan, nëse gjërat do të përkeqësoheshin atje.

Presioni nuk kufizohet në qiell. Kur SHBA nisi sulmet, Irani bllokoi Ngushticën e Hormuzit, duke hequr nga tregu rreth një të pestën e furnizimit botëror me naftë dhe gaz. Çmimet e karburantit janë dyfishuar që nga fillimi i konfliktit, ndërsa 18% e ngarkesave ajrore globale janë ndërprerë. Për familjet amerikane, kjo përkthehet direkt në çmime më të larta në pompë, fatura më të medha energjie dhe mallra më të shtrenjta, jo si pasojë e largët, por si nje realitet i sotëm.

Historia e ka pare me pare këtë ekuacion. Gjatë Luftës së Vietnamit, SHBA kishte epërsi absolute ushtarake, por kundërshtari kishte durim pa kufizime politike të brendshme.

Ai durim fitoi dhe Irani e di mirë këtë mësim. Presidenti Trump deklaroi se operacionet do të zgjasnin “katër javë ose më pak” por fushata ajrore mbi Libi në 2011 zgjati 7 muaj, dhe operacioni kundër ISIS mbi 5 vjet. Çdo precedent historik tregon se konfliktet e këtij lloji rrallë mbarojnë sipas orarit të shpallur.
Dhe ky është pikërisht kalkulimi iranian.

Regjimi i Teheranit nuk u përgjigjet zgjedhjeve dhe nuk ka nevojë të shpjegojë çmimet e benzinës para deputetëve. Uashingtoni, nga ana tjetër, po ndjen peshën politike. Senatorja Elizabeth Warren deklaroi pas një seance sekrete: “Nuk ka para për 15 milionë amerikanë që humbën sigurimet shëndetësore, por ka miliarda dollarë në ditë për të bombarduar Iranin.” Ky lloj presioni nuk ekziston në Teheran, dhe kjo asimetri politike është po aq e rëndësishme sa ajo ushtarake.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes pretendon se programi bërthamor iranian është zhvendosur pas me dy vite nga sulmet e qershorit 2025, por regjimi vazhdon, stoqet e interceptorëve vazhdojnë të zbrazin dhe fatura ditore vazhdon të rritet. Kjo tregon se presioni ushtarak i izoluar nuk mjafton për të ndryshuar llogaritjen e Teheranit.

Çdo javë shtesë konflikt i shton Iranit kohë për t’u përshtatur, i zbraz SHBA-së rezerva strategjike dhe i rrit opinionit publik amerikan arsyet për të kërkuar një rrugëdalje. Nëse ka një moment për të negociuar nga pozita force, ai moment është tani ,jo pas gjashtë muajsh tjetër shpenzimesh dhe humbjes se avantazhit strategjik. Koha vazhdon, por jo në favorin tonë.


Shtuar 30.03.2026 20:01