Presidenti Trump: Po shqyrtojmë kufizimin e operacionit ushtarak në Iran, ngushtica e Hormuzit duhet të ruhet nga vendet e tjera

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se po shqyrtojnë kufizimin gradual të operacioneve të tyre ushtarake në Iran pasi, siç u shpreh ai përmes një postimi në Truth Social, janë shumë afër arritjes së qëllimit të tyre.

Presidenti amerikan, u shpreh se sulmet e përbashkëta me Izraelin kanë degraduar ndjeshëm aftësitë bërthamore, arsenalin raketor dhe forcën ushtarake të Iranit.

“Po i afrohemi shumë përmbushjes së objektivave tona, ndërsa shqyrtojmë shkurtimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me Regjimin Terrorist të Iranit: (1) Degradimin e plotë të aftësisë së raketave iraniane, lëshuesve dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me to. (2) Shkatërrimin e bazës industriale mbrojtëse të Iranit. (3) Eliminimin e Marinës dhe Forcave të tyre Ajrore, duke përfshirë edhe armët kundërajrore. (4) Moslejimin kurrë të Iranit që t’i afrohet aftësisë bërthamore dhe gjithmonë të qenit në një pozicion ku SHBA-të mund të reagojnë shpejt dhe fuqishëm ndaj një situate të tillë, nëse ndodh. (5) Mbrojtjen, në nivelin më të lartë, të aleatëve tanë të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Kuvajtin dhe të tjerë”, shkroi Trump.

Duke u ndalur te Ngushtica e Hormuzit, ai tha se do të duhet që të ruhet dhe mbrohet nga vendet e tjera që e përdorin. Nëse na kërkohet, shtoi ai, do t’i ndihmojnë këto vende për ta mbajtur hapur dhe pa rrezik nga Irani.

“Ngushtica e Hormuzit do të duhet të ruhet dhe të mbikëqyret nga kombe të tjera që e përdorin atë – Shtetet e Bashkuara nuk e bëjnë! Nëse na kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto vende në përpjekjet e tyre për Hormuzin, por kjo nuk duhet të jetë e nevojshme pasi kërcënimi i Iranit të zhduket. Është e rëndësishme të theksohet se do të jetë një Operacion Ushtarak i lehtë për ta”, shtoi ai.


Shtuar 21.03.2026 08:59