Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas ka deklaruar më parë se mund të zhvillohet një takim mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Sipas saj këtë e favorizon edhe vendimi i Kosovës, e cila pranoi të përfshijë masa lehtësuese për serbët në Ligjin për të Huajt dhe për Automjete.
Nisur nga zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi, rikthimi në një tryezë i Kurtit dhe Vuçiçit shihet i vështirë. Në Kosovë, pritet që Gjykata Kushtetuese të japë një interpretim për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit. Nga ana tjetër, skena politike në Serbi vazhdon të dominohet nga kërkesat për zgjedhje, të cilat vijojnë të mbeten në fokus të zhvillimeve të fundit.
Në lidhje me këtë situatë, analisti Afrim Kasolli u shpreh se janë pikërisht këto dinamika të cilat do ta përcaktojnë mundësinë e një takimi të tillë. Ai tha se shteti serb po pajiset me raketa supersonike kineze, të cilat bien në kundërshtim me qëllimet e tij formale për ta harmonizuar politikën e tij të jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Europian
“Janë këto dinamika të cilat do ta përcaktojnë mundësinë e një takimi të tillë, por personalisht konsideroj të gabuar çdo nismë për takime të tilla, sidomos pas sjelljeve të fundit të Serbisë. Ne kemi parë që shteti serb po pajiset me raketa supersonike kineze, të cilat bien në kundërshtim me qëllimet e tij formale për ta harmonizuar politikën e tij të jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Europian”, tha analisti Afrim Kasolli.
Më herët, Kurti kishte përcaktuar tre kushte për vijim të dialogut me Serbinë. Një nga këtë ishte edhe dorëzimi i Millan Radojeçiç, njeriut që organizoi sulmin terrorist të Banjskës.
Në lidhje më këtë, analisti Afrim Kasolli tha se tolerimet e vazhdueshme vetëm sa e inkurajojnë Serbinë të sillet në këtë mënyrë të dyfishtë dhe ta vazhdojë politikën e saj duale, edhe me vendet lindore.
“Tolerimet e vazhdueshme vetëm sa e inkurajojnë Serbinë të sillet në këtë mënyrë të dyfishtë dhe ta vazhdojë politikën e saj duale, edhe me vendet lindore, Rusinë e Kinën, dhe në të njëjtën kohë ta shfrytëzojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian vetëm si kartë formale, i cili në të vërtetë po i shërben jo normalizimit të raporteve me Kosovën, por pikërisht mbajtjes pezull të këtyre raporteve”, tha Kasolli.
