Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi se ka pasiguri mbi fatin e liderit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, duke hedhur dyshime se ai mund të ketë vdekur, pavarësisht se televizioni shtetëror iranian transmetoi më herët këtë javë një deklaratë që i atribuohej atij.
Në një intervistë për NBC News, Trump tha se nuk ka prova që konfirmojnë nëse Khamenei është ende gjallë.
“Unë nuk e di nëse ai është gjallë. Deri tani askush nuk ka mundur ta shfaqë atë”, u shpreh Trump.
“Po dëgjoj se ai nuk është gjallë dhe, nëse është, duhet të bëjë diçka shumë të zgjuar për vendin e tij, të dorëzohet. Disa mendojnë se është gjallë, por shumë i plagosur”.
Komentet e presidentit amerikan vijnë një ditë pasi sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, deklaroi se lideri suprem iranian ka të ngjarë të jetë “i shpërfytyruar” pasi u plagos gjatë sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit.
Në të njëjtën intervistë, Trump tha se beson që disa vende të tjera do të angazhohen për të garantuar sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për eksportet globale të naftës, të cilën Irani aktualisht po e bllokon.
“Nuk dua të përmend se cilat vende mund të ndihmojnë, por mund ta merrni me mend. Madje mund të jenë edhe vende që do t’ju surprizojnë”, tha ai.
Më herët, në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump shkroi se “shumë vende” do të dërgojnë anije luftarake për të mbajtur të hapur këtë rrugë strategjike detare.
Ai përmendi mes të tjerash Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Francën, Japoninë dhe Korenë e Jugut, duke shtuar se shpreson që edhe vende të tjera t’i bashkohen këtij operacioni.
