Familjarët e gjyqtarit Astrit Kalasë, i cili u vra me armë zjarri në brendësi të Gjykatës së Apelit në Tiranë, kanë kërkuar që gjyqtari të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.
Përmes një shkrese drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, gruaja e Astrit Kalasë, Valbona, ka kërkuar hapjen e proceduara që gjyqtari me karrierë 32 vite, të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.
“Gjyqtari u vra në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së vendimit në emër të Republikës, nga një palë në proces e cila nxori armën dhe e qëlloi menjëherë pas shpalljes”, thuhet në kërkesë.
Sipas Top Channel, familja insiston se rendi dhe qetësia nuk sigurohen vetëm nga policia por edhe nga gjykatat që sakaq po bëhen gati ti drejtohen edhe komisionit qendror të statusit të dëshmorit, një opsion që hap rrugën për padi në gjykatën administrativ.
Gjyqtari Astrit Kalaja, u qëllua për vdekje me armë zjarri në sallën e gjyqit, pasditen e 7 Tetorit 2025 sapo dha një vendim në emër të Republikës.
Palë në proces ishin Gjon Shkambi dhe Elvis Shkambi, të cilët kërkojnë lirimin e ambienteve të një prone që ata kanë në Shkodër, nga rreth 16 familje që e kanë zënë atë më shumë se 20 vite më parë dhe nuk pranojnë të dalin prej andej.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Astrit Kalaja, shtetasi Elvis Shkambi, i cili ndodhej në sallë, nxori nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit i cili si pasojë e të shtënave është rrëzuar në tokë.
Pas këtij veprimi, 30-vjeçari i ka drejtuar pistoletën shtetasve Rakip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj, të cilët tentuan të dalin nga salla dhe qëlloi me armë zjarri (pistoletë) në drejtim të tyre. Menjëherë më pas, autori i dyshuar i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë në oborr, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë.
Gjyqtari u transportua me ambulancë në Spitalin e Traumës Tiranë, por gjatë rrugës ndërroi jetë, ndërsa dy të dëmtuarit e tjerë pas marrjes së ndihmës së specializuar mjekësore, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
