Një fitore në frymën e fundit, shumë e vuajtur, por jashtëzakonisht e rëndësishme që mban Real Madrid në garë për titull në La Liga, nuk lejon Barçën të “arratiset”.
Në momentin më të vështirë të sezonin, pa 10 lojtarë në dispozicion, ku bie në sytë mungesa e yjeve si Mbappe, Bellingham, Rodrygo e shumë të tjerë, ekipi i Arbeloa-s doli me 3 pikë nga transferta përballë Cela Vigo-s pas suksesit 2-1.
Për fat të mirë, Tchouameni është rikthyer në versionin e tij më të mirë, me mesfushorin francez që realizoi një gol shumë të bukur në minutën e 11-të.
Celta Vigo iu përgjigj shpejt, me Iglesias që në minutën e 25-të me një goditje të saktë brenda në zonë barazoi shifrat në 1-1.
Në fraksionin e dytë, Reali e kishte shumë të vështirë të gjente golin e fitores, madje ishin edhe me fat në një kohë kur Celta Vigo flirtoi me golin duke goditur shtyllën pingule.
Atëherë kur gjërat po shkonin drejt fundit, në minutën e 94-ët, një goditje e Valverdes u devijua mjaftueshëm duke përfunduar në rrjetë, një gol që solli festë në radhët e Realit pasi mban mbretërorët pranë kreut, për momentin vetëm 1 pikë larg Barcelonës.
Ky sukses në limitet shton besimin e Arbeloa-s se ekipi i tij mund të konkurrojë deri në fund në garën për titull: “Sigurisht që besoj te titulli. Është një rrugë e gjatë deri në fund, janë në lojë edhe 33 pikë mos gabojë. Në këtë fazë është thuajse sikur e ke nisur nga fillimi. Çdo ndeshje nga këtu e deri në fund do të jetë një betejë pasi përballë do të kesh ekipe që luftojnë për objektivat e tyre. Në këto momente të vështira dalin në pah liderët e vërtetë, lojtarë të denjë për Real Madrid, sot pashë shumë prej tyre”, u shpreh Arbeloa.
