Lapaj para Kryeministrisë: Të gjitha partitë politike kanë detyrë të përballen me regjimin e Ramës

Kreu i lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka nisur protestën e tij para ambienteve të Kryeministrisë. Gjatë një prononcimi për mediat, Lapaj u shpreh se të gjitha partitë politike kanë detyrë të përballen me regjimin e Ramës.

Ai tha se ata që kanë mision luftën me qeverinë, duhet të vijnë dhe të ngrenë çadrat. Lapaj kërkoi largimin e qeverisë, qeveri teknike dhe zgjedhje të reja.

Ai theksoi se halli i përbashkët i partive poltike është Rama dhe ligji zgjedhor. Sipas tij ai ligj është bërë me Berishën, ndaj kërkoi që PD dhe Berisha të distancohen nga ai ligj dhe të bashkohet me ta.

Fjala e Adriatik Lapajt:

Sot, në ditën e 90-të të protestës përballë qeverisë më të korruptuar të Evropës, ndaj lajmin me qytetarët paligjshmërinë totale të Policisë së Shtetit dhe protestën tonë legjitime për të protestuar. Ky është vendimi i mosfillimit që ka ardhur nga Prokuroria, ku na njohët mbrojtja e posaçme për të protestuar. Ne po e arrijmë duke u përballur pa frikë para qeverisë më të korruptuar të Evropës. Prokurori thotë se ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin e bërë dhe kthimin e sendeve të sekuestruara sipas procesverbalit nga oficerët e policisë gjyqësore, si çadrat, ngrohëset, kartonët, karriget dhe sendet e tjera që na u morën dhunshëm. Ndaj ne na lind sot e drejta për të vendosur çadrat tona dhe të zbatojmë të drejtën tonë kushtetuese.

Nëse policia e shtetit, që ditët e fundit ka humbur drejtorin e Përgjithshëm dhe të Tiranës, nëse nuk zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën, le të vijnë dhe të na sulmojnë dhe të na i sekuestrojnë, por ne do vazhdojmë, Ftoj aktivistët të montojnë çadrën. Është e drejta kushtetuese. Ata mund të zbatojnë ligjet e Ramës, mund të na sulmojnë, dhunojnë, arrestojnë, por ne do vijojmë. Kjo është çadra e parë simbolike dhe shpresoj të mbushet me sa më shumë çadra në betejën kundër pushtetit kleptokratik të qeverisë Rama.

Të gjitha partitë politike kanë një detyrë të përbashkët, të përballen me regjimin e Ramës, që vjedh qytetarët shqiptarë. Ata që kanë mision luftën me qeverinë le të vijnë këtu dhe të ngrenë çadrat. Beteja nuk bëhet në studio televizive apo banaqet televizive, atje duhet të rrinë analistët, politikanët le të vijnë këtu dhe të protestojnë. Halli ynë i përbashkët është Rama dhe ligji zgjedhor dhe ai ligj është bërë me Berishën ndaj PD dhe Berisha të distancohen nga ai ligj dhe le të vijnë të na bashkohen. Ne e ngritëm çadrën dhe jam i bindur se do vijnë përsëri këtu t’i heqin. Këta nuk pyesin as për ligj, as për prokurori, as për kushtetutë, por ne duhet të vazhdojmë pa diskutim dhe pa u ndalur.


Shtuar 6.03.2026 21:16