Shkarkimi i Prodës/ Hapen aplikimet për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, procedurat dhe afatet

Pas shkarkimit të Ilir Prodës, Ministria e Punëve të Brendshme, ka shpallur zyrtarisht thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Në njoftimin zyrtar të ndarë për mediat, janë përcaktuar edhe kriteret e personave që do të garojnë për këtë post.

Sipas njoftimit aplikantët duhet të kënë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues, të ketë shtetësi shqiptare, të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë, të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse etj.

 

 

Kandidatët, brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes për aplikim, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë. Afati i dorëzimit të aplikimit është deri në 11 mars 2026.

Kujtojmë se, Ilir Proda, u shkarkua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit më 1 mars 2026, me vendim të miratuar nga qeveria. Vendimi është botuar një ditë më parë edhe në Fletoren Zyrtare.

Ai u shkarkua me pretendimin se nuk arriti të garantonte siguri për qytetarët në protestën e organizuar nga Partia Demokratike më 28 shkurt.

Në vend të Prodës, është komanduar Sokol Bizhga, i cili deri atëherë mbante detyrën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, derisa të përzgjidhet drejtori i ri.