Përmbyten përsëri tokat në Goriçan të Beratit. Dalja e lumit Seman, ka alarmuar banorët të cilët thonë se kjo është hera e katërt që ata janë nën ujë.
Që prej nëntorit të vitit të kaluar sipërfaqet bujqësore, serrat diellore dhe stanet e bagëtive janë të përmbytura.
Fermerët nuk po arrijnë dot të mbjellin për sezonin, ndërsa prodhimi që ishte gati për treg u kalb.
Banorët e Goriçanit thonë se i ka përmbytur uji që erdhi si pasojë e hapjes së digës së HEC-it të Moglicës.
Niveli i ujërave të lumit Seman, u ngrit mbi argjinaturën tre ditë më parë dhe mbrëmjen e djeshme ato përmbytën zonën.
Një përfaqësi nga prefektura Berat dhe Bashkia Dimal ishin në Goriçan në zonën e përmbytur për të parë nga afër situatën.
Sipas tyre, do të bëhet një studim i zonës për t’i paraprirë investimit afatgjatë, ndërsa për dëmshpërblim lista me emrat e të dëmtuarve do t’i dërgohet ministrisë së bujqësisë.
Banorët kërkojnë dëmshpërblim pasi janë të zhytur në borxhe dhe nuk kanë mundësi për të ringritur ekonominë bujqësore.
