Nga tradhtia ndaj shokëve tepelenas te piruetat me grupet e fierakëve dhe beratasve, aktiviteti i Jani Aliajt në Greqi

Vrasja e Aliajt nuk ishte një grindje e zakonshme midis të burgosurve. Faktet që dolën në dritë flasin për një akt të planifikuar me kujdes, për një ekzekutim që mbart shenjat e një kontrate vdekjeje.

Jani Aliaj u vra brenda një burgu që teorikisht kontrollohet 24 orë në 24, ku kamerat, rojet dhe protokollet e sigurisë synojnë të parandalojnë çdo incident. Ai ishte i njohur si një figurë problematike, një emër që mbart histori të errëta dhe konflikte të pazgjidhura.

“Ajo që vihet re tek personazhi Jani Aliaj është se tradhton shokët dhe miqtë nga Tepelena, dhe i bashkëngjitet bandave të trafikut të drogës dhe gjobvënies në qendër të Athinës. Bashkohet fillimisht me grupin e Fierakëve, të cilët në një rrethanë të caktuar duket se krijon edhe aty armiq dhe largohet, bashkohet me një bandë hajdutësh grabitësish nga Berati, edhe me ta largohet dhe në fund bëhet anëtar i një bande gjobëvënsish me komanda greke, por me eksponent kryesor të saj, njerëz nga veriu i Shqipërisë”, u shpreh gazetari, Artur Bibe.

“Ajo që di unë nga informacionet e mia është që policia po analizon tërë historikun e tij, për të lidhur vrasjen e tij me të kaluarën, pasi janë skenarë të ndryshëm që analizohen nga policia. Edhe thonë që mund të ketë lidhje me ndonjë grup të krimit të organizuar ose me një armiqësi të kaluarës”, u shpreh gazetarja, Mikaela Sava.

Si arriti të organizohej një sulm i tillë brenda një hapësire të monitoruar pa ndërprerje? A ishte gjithçka e orkestruar nga brenda mureve të burgut, apo kishte elementë që vinin nga jashtë? Dhe më e rëndësishmja, pse ende pas hetimeve fillestare, pyetjet mbeten më të shumta se përgjigjet?

“Kjo histori nuk mund të ndahet nëse vrasja ka ndodhur për shkak të aktivitetit të tij kriminal në Greqi, apo për shkak të konflikteve që ai ka pasur në Shqipëri, pasi të dyja gjërat janë të lidhura. Kam përshtypjen që aktiviteti kriminal i ndërtuar ndër vite i Jani Aliajit dhe kundërshtarëve të tij në Greqi, ka prodhuar konflikt në Shqipëri dhe më pas gjërat kanë rrjedhur në Greqi, ku ai ishte i burgosur”, u shpreh Xhevahi Zhabina, gazetar.

“Jani Aliaj është një eksponent i njohur i botës së krimit me shumë armiq. Ka nisur saga e tij, emri i tij është i njohur për autoritetet greke që në vitet 2000, kur Aliaj ka hyrë në Greqi, ka patur depërtim nga policia greke, pastaj është përfshirë në disa ngjarje të vogla kriminale”, u shpreh Artur Bibe, gazetar./Top Channel


Shtuar 18.02.2026 21:46