Sulm në park në Meksikë, një i vdekur dhe tetë fëmijë të plagosu

Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin qendror meksikan të Guanajuato-s, ku një person ka humbur jetën dhe të paktën tetë fëmijë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një park publik, sipas autoriteteve lokale.

Ngjarja ndodhi të martën në mbrëmje, kur persona të armatosur hapën zjarr në zonën ku ndodheshin familje dhe fëmijë. Si pasojë e sulmit humbi jetën një burrë 36-vjeçar, ndërsa mes të plagosurve janë vajza të vogla, djem dhe adoleshentë, duke rritur shqetësimin për sigurinë publike në rajon.

Guvernatorja e Guanajuato-s, Libia Denise Garcia, reagoi ashpër ndaj incidentit, duke e cilësuar atë si “absolutisht të papranueshëm” dhe duke theksuar se dhuna që prek fëmijët është veçanërisht tronditëse. Ajo premtoi hetime të plota dhe masa më të forta për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Sulmi i fundit nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një vale të vazhdueshme dhune që ka goditur këtë shtet të Meksikës vitet e fundit.

Vetëm muajin e kaluar, 11 persona u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me armë në një fushë futbolli në qytetin e Salamancës, një tjetër zonë e Guanajuato-s. Ndërkohë, në qershor të vitit të kaluar, një tjetër sulm i armatosur në qytetin Irapuato la 11 të vdekur dhe rreth 20 të plagosur.


Shtuar 18.02.2026 19:29