Roberts: Prokurorisë i vjen vetë turp për argumentet kundër Selimit, paaftësia për të dalluar pretendimet dhe provat është shqetësuese

Avokati i Rexhep Selimit në Hagë, Geoffrey Roberts, sot në deklaratën përmbyllëse tha se paaftësia e Prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave është shqetësuese në këtë fazë të procesit gjyqësor.

Roberts theksoi tutje se Prokurorisë i vjen vetë turp për argumentet kundër Rexhep Selimit.

“Ta themi troç, Prokurorisë i vjen vet turp për argumentet e veta kundër Rexhep Selimit. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër, si nga parashtrimet e së hënës, apo dosja e tyre me shkrim. Nëse vet prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta kundër Selimit, si mund t’ju bind ju…”, u shpreh Roberts.

Ai tutje tha se paaftësia e prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit gjyqësor, sa që është edhe befasuese.

“…Por, madje edhe paaftësia për të trajtuar edhe pikat tjera që janë ngritur në lidhje me ndërmarrjen e përbashkët kriminale theksojnë mungesë të qartësisë dhe besimit që ka vet prokuroria në argumentet e veta”, tha ai.

Roberts tha se nuk mund të merret vendim fajësie kundër Selimit në lidhje me Ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

“Prokuroria nuk ka më asnjë provë, asgjë nuk mund të nxjerrë Prokuroria tani për të siguruar vendimin e fajësisë kundër Selimit”, tha ai, duke shtuar se për secilën nga pretendimet që kanë pasur kanë qenë të pabaza.

Ai tutje tha se Prokuroria të hënën në paraqitjen e provove do të duhej të kishte shkëlqyer, por sipas tij, mezi ia dolën mbanë.

“Është e logjikshme që të hënën Prokuroria të kishte shkëlqyer…por mezi ia dolën mbanë”, tha ai.

Avokat i Selimit kërkoi që klienti i tij të shfajësohet për të gjitha akuzat, të lirohet menjëherë dhe të kthehet në Kosovë, pranë familjes.


Shtuar 18.02.2026 12:46