Agron Shehaj: Rama sulmon drejtësinë, i quajti prokurorët “qen” dhe “minj”. Shumë shpejt do merret i pandehur

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj prokurorëve dhe gjykatësve sot, teksa i sulmoi me etiketime fyese në kohën kur prezantonte nismën ligjore të PS për të ndaluar SPAK-un të kërkojë pezullim nga detyra të kryeministrit dhe anëtarët e kabinetit qeverisës.

Sipas Shehajt, ka një arsye të thjeshtë dhe të qartë pse Rama intensifikoi gjuhën e ashpër sulmuese kundër prokurorëve duke përdorur cilësimet fyese “qen dhe minj” ndaj tyre.

Pas kërkesës për arrestimin e zv.kyeministres Belinda Balluku dhe pezullimit të saj nga detyra, Shehaj thotë se Rama kërkon të caktojë një pushtet absolut dhe të paprekshëm për veten e tij, teksa shumë shpejt kryeministri mund të merret i pandehur, nënvizon kreu i “Mundësia”.

Shehaj i referohet kësaj deklarate të Ramës: “Që kufiri ndarës midis pushteteve të jetë si ato gardhet me një vrimë ku hyjnë dhe dalin qentë dhe minjtë dhe ne këtë nuk mund ta lejojmë”.

Ndërsa bën thirrje për firmosjen e deklaratës në mbrojtje të drejtësisë, kreu i Partisë Mundësia nënvizon se drejtësia shqiptare ka dhe do të ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve për të luftuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë në Shqipëri.

“Qartësisht Edi Rama është shumë i shqetësuar sepse mendonte se do të kishte një pushtet absolut dhe të përjetshëm, por ja që kjo nuk do të ndodhë. Sepse drejtësia me mbështetjen e ndërkombëtarëve po i çon të korruptuarit para drejtësisë si kurrë më pare.

Prandaj duhet të firmosim deklaratën në mbrojtje të drejtësisë. Këto firma do t’i çojmë në Kongresin Amerikan, në Parlamentin Europian t’i tregojmë atye që duhet të vazhdojnë të mbështesin drejtësinë në Shqipëri, që dhe shqiptarët duan të korruptuarit përpara drejtësisë. Prandaj është shumë e rëndësishme, firmosni, firmosni, firmosni”, thekson Shehaj.

Partia Mundësia ka ndërmarrë një nismë për mbledhjen e 100 mijë firmave të qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Deri më tani janë 60 mijë qytetarë që kanë dhënë me vullnetin e tyre firmat, për të mbrojtur sistemin e drejtësisë nga pushteti politik.


Shtuar 16.02.2026 16:39