Apeli i GJKKO konfirmoi sot dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim. Ndërkohë ditën e nesërme, Memolla pritet të vetë-dorëzohet, pasi të delegojë detyrat që mban.
Gjithashtu Memollës do t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për 5 vitet në vijim dhe nga ky moment bashkia e Rrogozhinës është pa një kyryetar bashkie dhe sipas rregullit duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Konkretisht, Memolla u dënua për korrupsion në zgjedhje, pasi SPAK zbuloi një bisedë të tij kur kandidonte në zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022, me elektricistin e OSHEE Blerim Xhamani.
Memolla i kërkoi elektricistit të mos i ndërpresë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që të votonte në favor të tij në zgjedhje. Gjithashtu sipas SPAK, Memolla bisedoi edhe për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të votës.

