Hetimet për dosjen e bujshme të AKSHI-t, kanë hyrë në një fazë më intensive pas dëshmisë së Daniel Shimes, ish-zëvendësdrejtor i këtij institucioni, i cili ka deklaruar se veprimet abuzive janë kryer me urdhër të drejtpërdrejtë të Mirlinda Karçanajt.
Dëshmia e tij, e konsideruar kyçe nga organi i akuzës, ishte ajo që i hapi rrugë SPAK-ut për të siguruar mbështetjen e Apelit të GJKKO-së në lënien në arrest shtëpie të Karçanajt dhe zëvendëses së saj, Hava Delibashit.
Dosja e AKSHI-t konsiderohet një nga më të mëdhatë e dekadave të fundit, ku hetimet kanë zbuluar një skemë të gjerë manipulimi tenderash, rritje fiktive kostosh dhe presioni ndaj kundërshtarëve përmes pengmarrjes.
Në qendër të kësaj skeme sipas SPAK qëndrojnë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndërsa Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Andis Papa dhe të tjerë dyshohet se kanë zbatuar urdhrat e kësaj dysheje, me Beqirin të përshkruar si figurë ekzekutuese në shërbim të Agasit.
Megjithëse ndaj Agasit dhe Beqirit është urdhëruar arresti dhe ata rezultojnë në arrati, pagesat nga AKSHI drejt kompanive të lidhura me dosjen nuk janë ndalur.
Të dhënat e konsultuara nga skyweb.al përmes platformës OpenSpending Albania tregojnë se vetëm dy ditë pasi SPAK shpalli në kërkim pronarin e saj, kompania Horizon e Ermal Beqirit ka përfituar një pagesë prej rreth 430 mijë lekësh nga AKSHI për mirëmbajtjen e platformës së Agjencisë së Prokurimeve Publike, si pjesë e pagesave periodike.
Pagesa pas operacionit të SPAK te AKSHI ka marrë edhe kompania First e Gëzim Hoxhës, edhe ai me masë sigurie nga GJKKO për skandalin AKSHI.
Skandali zgjerohet edhe më tej me rastin e kompanisë Fastech të Andis Papës.
Sipas të dhënave të konsultuara nga Skyweb.al, kjo kompani ka përfituar gjithsej rreth 31.6 milionë lekë, ose afërsisht 350 mijë euro, që nga data 8 dhjetor, periudhë kur SPAK kërkoi masën e sigurimit “ndalim i daljes jashtë shtetit” për Papën, i dyshuar si pjesë e skemës së zhvatjes së fondeve publike përmes AKSHI-t.


SPAK dyshon se Andis Papa me Fastech, ka shërbyer si hallkë në pastrimin e parave, përmes një transaksioni rreth 10 milionë eurosh për blerje çokollatash dhe biskotash.
Ky transaksion, sipas hetimeve dyshohet se kishte për qëllim legalizimin e fitimeve nga tenderët abuzivë.
Prokuroria ka deklaruar se procedurat e prokurimit manipuloheshin për t’u fituar nga kompani të kontrolluara nga Ermal Beqiri dhe Andis Papa, ndërsa fitimet transferoheshin në mënyrë fiktive te subjekte të tjera, në pronësi të grupit nën koordinimin e Ergys Agasit.
Sipas akuzës, skema funksiononte në bashkëpunim të ngushtë mes aktorëve privatë dhe drejtuesve të institucionit.

Nga ana tjetër, ndërsa Agasi dhe Beqiri, rezultojnë në arrati dhe Papa vijon të përfitojë pagesa, aktiviteti ekonomik duket se vazhdon pa ndërprerje përmes figurave të tjera.
Të dhënat tregojnë se Gerond Meçe, përmes kompanisë Advance Business Solutions, ka përfituar rreth 40 mijë euro pagesa nga AKSHI dhe institucione të tjera që prej fillimit të dhjetorit.
Në të njëjtën kohë, kjo kompani rezulton të ketë fituar disa kontrata të reja, duke u rikthyer në skenë pas largimit të aktorëve kryesorë të skemës.


Pamja që del nga të dhënat financiare është se, pavarësisht arrestimeve, masave të sigurisë dhe arratisjes së figurave kyçe, fluksi i parave publike nuk është ndalur.
Ndryshojnë emrat që dalin në skenë, por mekanizmi vijon të funksionojë, ç’ka tregon se ndërkohë që aktorët dhe regjisori i skandalit AKSHI janë në kërkim dhe arrati, “producenti” ndodhet ende në Tiranë duke futur dhe nxjerrë nga skena personazhe të ndryshëm me qëllim që të vijojë spektakli me fondet publike te AKSHI. /skyweb.al
