La Repubblica ngre dyshimet se trazirat e fundit në Milano mund të jenë nxitur nga një operacion i organizuar, duke hedhur idenë se pas përplasjeve mund të fshihet një dorë e koordinuar.
Deri tani nuk dihet se kush mund të qëndrojë pas kësaj nisme dhe nuk ka prova që të dëshmojnë përfshirje të huaj. Megjithatë, dyshohet se individë të caktuar mund të jenë kontaktuar për të shfrytëzuar zemërimin e tyre, ndërsa mobilizimi mund të jetë kryer përmes rrjeteve sociale dhe fletushkave të krijuara posaçërisht me inteligjencë artificiale.
Të lidhura
None found
Sipas gazetës italiane, një skemë e ngjashme dyshohet se është përdorur edhe gjatë trazirave në Ceuta të Spanjës. La Repubblica e lidh këtë vlerësim me dëshminë më shumë se treorëshe të drejtorit të Agjencisë për Informacionin dhe Sigurinë e Brendshme, Bruno Valensise, përpara Komisionit Parlamentar të Sigurisë.
Ndërkohë, ekspertët po analizojnë se kush mund të ketë vënë në lëvizje këtë mekanizëm. Disa ditë më parë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se nuk përjashtohej mundësia që zhvillimet në Milano të ishin pjesë e një lufte hibride.
Media vëren gjithashtu shenjat e para të afrimit mes qarqeve kundër sistemit, grupeve anarkiste dhe organizatorëve të rinj që janë shfaqur në protestat e fundit.
Gjatë fundjavës, qyteti do të jetë nën një regjim të fortë sigurie. Forcat e rendit do të shtrihen nga stacioni hekurudhor deri në qendrën e Milanos.
Dispozitivi do të përfshijë një numër të madh forcash të sigurisë, si edhe 500 parashutistë të repartit ushtarak Folgore. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka deklaruar se, nëse situata e kërkon, mund të përdoren edhe mjete të blinduara dhe dronë.







