Është ndaluar me urdhër të Prokurorisë polici i cili ndodhej brenda berberhanes në Rrilën e Lezhës mbrëmjen e djeshme (1 shkurt), ku dyshohet se iu bë atentat 21-vjeçarit Merando Nikulaj.
Polici me iniciale B.K., mësohet se është ndaluar pasi akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Ai ka qenë prezent brenda në berberhanen ku ndodhej edhe Merando Nikulaj dhe gjatë sulmit me armë, efektivi është kundërpërgjigjur autorëve me armë zjarri.
Lidhur me ngjarjen autoritetet po vijojnë kontrollet në zonë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të përfshirëve.
Kujtojmë se nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur Sokol Daci 30 vjeç, pronar i berberhanes.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se nga hetimet e deritanishme rezulton se 30-vjeçari nuk ishte shënjestër e sulmit, pasi në berberhane ndodheshin edhe 4 persona të tjerë, ndër ta edhe Merando Nikulaj, nipi i Ardian Nikulajt, i cili dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit.
Deri në këto momente Nikulaj nuk është shoqëruar dot për t’u marrë në pyetje, ndërsa policia po ushtron kontrolle në disa biznese dhe banesa për ta shoqëruar.
Ka dyshime të forta që 21-vjeçari Merando Nikulaj mund të jetë plagosur, për shkak se teksa largohej ai shfaqet në kamerat e sigurisë duke ecur me vështirësi.
VRASJA E ARDIAN NIKULAJT
Ishte prilli 2023 ku Ardian Nikulaj po qëndronte ulur brenda lokalit të tij, kur portugezi, Ruben Saraiva me skafandër dyshohet se hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend.
Për kryerjen e kësaj vrasje urdherues dyshohet se eshte Edmond Haxhia, i cili ne bashkepunim me shtetasit e huaj, për ditë me radhë vëzhguan Nikulajn në hotel për të kronometruar momentin e ekzekutimit.
Pas ngjarjes, një pjesë e vrasësve u larguan nga Rinasi dhe të tjerë në rrugë tokësore në Greqi, por shumë shpejt u arrestuan një e nga një.

