Gjykata Administrative ka kthyer për plotësime padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër institucionit të Presidentit të Republikës dhe prokurorit të posaçëm, Ols Dado.
Sipas raportimeve, padia është kthyer për shkak se në të rezultojnë si paditës Erion Veliaj dhe Bashkia Tiranë, por nga kjo e fundit nuk ka vulë dhe as numër protokolli.
Gjykata ka kthyer padinë për plotësimin e saj për të legjitimuar palët në proces.
Veliaj e depozitoi padinë më 23 janar të këtij viti, në të cilën kërkonte shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Dados si prokuror.
Sipas Veliajt, emërimi i Ols Dados në vitin 2008 është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi ai, sipas pretendimeve, është emëruar prokuror pa kryer Shkollën e Magjistraturës, një kriter i domosdoshëm ligjor për ushtrimin e këtij funksioni.
Veliaj thotë se Dado ka kaluar nga statusi i noterit direkt në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi në atë kohë.
