Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, u qëndroi gjatë konkluzioneve përfundimtare shkaqeve të ankimit ndaj vendimit për konfirmimin e ndihmëses ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Jurida Bajraktari. Ai deklaroi të martën, më 27 janar, se subjekti nuk arriti të provonte të kundërtën e gjetjeve lidhur me pasurinë e profesionalizmin dhe kërkoi shkarkimin e Bajraktarit për cënim të besimit të publikut te drejtësia. Subjekti dhe përfaqësuesja e saj ligjore, avokatja Romina Zano, kundërshtuan shkaqet e ankimit, duke i cilësuar si të pabazuara.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) konstatoi probleme në aspektin profesional të ndihmëses ligjore Jurida Bajraktari, si dhe faktin se ajo kishte aplikuar për pozicionin që mban pa përmbushur kriterin e vjetërsisë në punë. Megjithatë, këto shkaqe nuk u gjetën penalizuese nga Komisioni dhe u vendos pezullimi nga detyra i subjektit, si dhe detyrimi i saj për të kryer një trajnim njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës. Një vit më vonë, më 25 shtator 2023, bazuar në rezultatin “mirë” të arritur në përmbyllje të trajnimit, KPK e konfirmoi në detyrë.
Vendimi i KPK u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili vlerësoi se mangësitë profesionale të evidentuara janë të tilla që nuk mund të korrigjohen, as përmes trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës. Në shkaqet e ankimit u parashtrua edhe gjetja lidhur me aplikimin për pozicionin e ndihmëses ligjore, në një kohë kur ajo nuk përmbushte kriterin ligjor të eksperiencës prej 7 vitesh punë, pasi kishte dokumentuar vetëm 3 vjet e gjysmë përvojë si juriste. Po ashtu, u parashtruan edhe shkaqe për deklarime të pasakta në kriterin e pasurisë.
Ashtu si gjatë parashtrimeve, edhe në konkluzionet përfundimtare, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se mbetet e provuar se subjekti dhe personi i lidhur nuk kanë përmbushur detyrimet për mënyrën e deklarimit të pasurive në pronësi dhe të burimeve financiare për krijimin e tyre.
Po ashtu, ai vlerësoi se Bajraktari nuk arrin të kalojë testin e profesionalizmit. Sipas Brahos, mangësitë në aspektin profesional kanë vijueshmëri dhe nuk mund të korrigjohen përmes trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.
Braho i qëndroi edhe shkakut lidhur me aplikimin e subjektit për pozicionin e ndihmëses ligjore pa përmbushur kriteret ligjore. Ai vërejti se, megjithëse subjekti pretendon se punësimi i saj nuk është kontestuar asnjëherë, mospërmbushja e kriterit ligjor për punësimin nuk mund të korrigjohet nga trajnimi i kryer në Shkollën e Magjistraturës. Sipas Brahos, për arsye se subjekti ka pranuar një punë për të cilën nuk përmbushte kriteret, ajo gjendet në kushtet e cënimit të etikës profesionale. Sipas tij, Bajraktari ka qenë në dijeni për mosplotësimin e kritereve ligjore dhe e ka fshehur këtë fakt.
Në përfundim, Braho u shpreh se subjekti ka cënuar besimin e publikut te drejtësia dhe, për rrjedhojë, duhet të vlerësohet e papërshtatshme për të vijuar detyrën. Ai kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi.
Avokatja Romina Zano deklaroi se u qëndronin shpjegimeve të mëparshme lidhur me shkaqet e ankimit dhe parashtrimet e bëra. Ajo vërejti se kredia bankare e padeklaruar ishte marrë nga nëna e bashkëshortit të subjektit.
Lidhur me profesionalizmin, Zano solli në vëmendje se nga ana e KPK u identifikuan vështirësi që kishin të bënin me akte formale. Ajo argumentoi se këto gjetje bënë që subjekti të detyrohej të ndiqte trajnimin në Shkollën e Magjistraturës. Duke e cilësuar profesionalizmin si dinamik, Zano u shpreh se vendimi i KPK ka qenë korrektues dhe jo ndëshkues.
Në vijim, Zano konstatoi se nga ana e drejtuesit të SPAK nuk u përcaktuan shkaqet pse procesi i trajnimit nuk konsiderohet. Po ashtu, sipas mbrojtjes, në ankim dhe gjatë procesit nuk u identifikuan mangësi konkrete sa i përket profesionalizmit.
Zano kundërshtoi edhe konstatimin për fshehje nga ana e subjektit të mospërmbushjes së kritereve ligjore për punësimin në pozicionin aktual. “Përpos faktit se subjekti i ka deklaruar të gjitha, nuk është e qartë se cilin fakt duhej të kishte deklaruar subjekti për të qenë e vërtetë”, tha Zano, duke shtuar se është institucioni punëdhënës ai që duhet të vendosë nëse aplikantja i plotëson ose jo kriteret ligjore.
Nisur nga fakti se nuk u ngrit asnjë shkak për figurën, u pretendua se nuk ekziston ndonjë ndërlidhje shkak-pasojë që do të përbënte cënim të besimit të publikut. “Në vlerësimin tonë, nuk u identifikua ndonjë veprim apo sjellje e papërshtatshme që cënon vlerësimin etik apo profesional. Nuk ka asnjë provë që dëshmon cënimin e besimit të publikut”, tha ndër të tjera avokatja Zano, duke shtuar se në ankim nuk ka pretendime për fshehje.
Zano e cilësoi vendimin e KPK për konfirmimin e Bajraktarit në përputhje me ligjin, duke kërkuar përfundimisht lënien e tij në fuqi.
Ndihmësja ligjore, Jurida Bajraktari, deklaroi në fund të seancës se, kur ka aplikuar për pozicionin ku ushtron aktualisht detyrën, ka vlerësuar se i plotësonte të gjitha kriteret. “I jam nënshtruar një provimi, ku pjesë e komisionit kanë qenë edhe gjyqtarë nga Gjykata Administrative e Apelit”, deklaroi Bajraktari, duke theksuar se nuk ka fshehur asnjë të dhënë dhe se kjo është e verifikueshme. Kolegji u tërhoq për vendim, që u njoftua se do të shpallet më datë 9 shkurt, në orën 14:00./BIRN
