Kryeministri Edi Rama, është pritur në një ceremoni zyrtare nga kryetari i Knesset, Parlamenti i Izraelit, Amir Ohana. Rama shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Ai pritet të mbajë edhe një fjalim në seancën plenare speciale në parlamentin e Izraelit.
Më herët, kreu i qeverisë u takua dhe mbajti një deklaratë të përbashkët për mediat me homologun Benjamin Netanyahu.
Ky i fundit vlerësoi edhe njëherë mbështetjen që ka treguar Shqipëria ndaj hebrenjve gjatë Holokaustit, si edhe kur ndodhi sulmi i Hamasit.
“Bota duhet ta dijë, që Shqipëria ishte i vetmi vend europian që gjatë holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë, që u rrit, e nuk u mpak, u rrit sepse shqiptarët, myslimanët shqiptarë, në frymën e moderimit, në frymën e tolerancës, në frymën e dinjitetit njerëzor, mbrojtën qindra hebrenj që jetonin asokohe në Shqipëri, e po kështu, mikpritën shumë të tjerë”, tha Netanyahu, duke shtuar se pritet që të hapet në Jerusalem edhe Dhoma e Tregtisë, që do thellojë bashkëpunimin ekonomik mes vendeve.
Nga ana e tij, kryeministri Rama, u shpreh se qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar për të kremtuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë dhe mban një qëndrim të qartë dhe të pandryshuar kundër antisemitizmit.
Komentoi gjithashtu edhe ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për Bordin e Paqes.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet përfshi planin e paqes për Gazën të presidentit Trump dhe do të luajmë rolin tonë brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës. Me Izraelin, ne vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe sigurisë kibernetike e kundër terrorizmit”, tha Rama.

