Në takimin e Foltores së radhës me të rinjtë e Forumit Rinor Demokrat me kryetarin e PD, Sali Berisha, i pranishëm ishte edhe Glauk Olldashi, djali i ish-ministrit dhe deputetit të ndjerë demokrat Sokol Olldashi.
Në fjalën e tij ai dha disa sugjerime dhe bëri kritika për Foltoret që bëhen si në qytete, ashtu edhe në bulevardin para Kryeministrisë, duke dhënë disa mendime dhe ide.
Olldashi kritikoi disa persona që përzgjidheshin për të mbajtur fjalën në podiumet e protestës dhe që shpesh ose u merret goja, ose nuk dinë të flasin, ose të bëjnë për të qeshur dhe turpërojnë PD-në dhe të rinjtë, ku shpesh u duhet edhe të ulin kokën.
Glauku nënvizoi po ashtu se problemet e PD-së nuk duhet të diskutohen live me kamera dhe mikrofon, por me dyer të mbyllura dhe të trajtohen problemet konkrete. Ai propozoi që Foltoret të zhvillohen mbi problematika dhe specifika të caktuara.
“Doktor, unë mendoj se partia jonë nuk është sa jemi këtu në sallë. Do jetë shumë e mirë që ne të bënim një takim tjetër pa kamera, mes nesh dhe jush, me forumin. Sepse problemet e shtëpisë kam parimin që diskutohen mes nesh dhe jo në sy të botës. Po jam edhe një sugjerim timin. Ne çdo të hënë bëjmë Foltoret para Kryeministrisë, e për hir të së vërtetës pjesëmarrja nuk është e pakënaqshme., Nuk ka të bëjë me frikën dhe sigurinë, por duket se problemi qëndron tek dita e hënë. Ndaj foltorja e të hënës nuk ka pjesëmarrje. Tjetra mendoj se ata që flasin në atë Foltore nuk janë të duhurit, nuk janë të denjë, nuk e di kush i zgjedh, por nuk ka qasje dhe nuk ka përfshirje edhe të të rinjve”, tha ai mes të tjerash.
Sipas Olldashit qasja që ndiqet duhet të ndryshojë, pasi dëmton imazhin e PD-së më shumë sesa të kryetarit:
“Ka njerëz atje që edhe u merret goja kur flasin, nuk janë të denjë. Ata njerëz që dalin e flasin atje po bëjnë faj edhe ndaj nesh, sidomos me ne të rinjtë që kemi karrierën dhe jetën para, dhe imazhi publik na dëmton më shumë ne sesa ju”.
Dhe më tej ai dha një mendim për organizimin e Foltoreve, ku parashtroi ide për protesta me tema specifike.
“Mendimi im është që çdo të hënë të bëjmë Foltore specifike, një të hënë arsimi, një ditë për shëndetësinë, bujqësinë, naftëtarët, minatorët e me radhë e radhë. Problemet janë nga më të pafundme, të kemi foltore specifike çdo të hënë, të mbledhim ekspertët, të flasin ata, e të mos shohim ca fytyra që na bëjnë për të qeshur dhe ne na bëjnë për të qeshur dhe të ulim kokën. Pra të bëjmë një protestë ku të mos themi Ramaduro apo Rama është problemi, por të themi problemi është ky dhe të trajtojmë problemet shqiptare. Kaq kisha”.
Kryedemokrati Sali Berisha, teksa mirëkuptoi shqetësimet e Olldashit, dha edhe një përgjigje ku shpjegoi qëllimin e Foltoreve.
“Foltorja nuk synon prani të madhe. Qëllimi i saj është mikrofoni dhe zëri, kundër qeverisë, nga deputetë dhe qytetarë. Nuk është qëllimi i saj protesta apo masiviteti. Ka atë qëllim që flasin qytetarë, të rinj e të formimeve të ndryshme”, tha ai.

