Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar mbrëmjen e kësaj të enjte nga dy efektivë të Policisë Bashkiake në Shkodër. Gert Ndoja dhe Niki Martini gjatë patrullimit në lagjet e kryeqendrës së veriut, kanë parë dy të rinj që bënin veprime të dyshimta.
Të rinjtë e kanë kuptuar që kishin tërhequr vëmendjen e policëve dhe kanë nisur të vrapojnë. Menjëherë pas tyre kanë shkuar Gert Ndoja dhe Niki Martini, që pas ndjekjes në këmbë, kanë mundur t’i ndalin dy të rinjtë pranë shkollës “Shejnaze Juka”.
Nga kontrolli, dy efektivët e Policisë Bashkiake u kanë gjetur djemve një thikë të madhe, por ata nuk kanë treguar se për ku ishin nisur dhe çfarë do të bënin me të.
Në këto kushte, policët bashkiakë kanë njoftuar shërbimet e Policisë së Shtetit, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendin ku ishin ndaluar dy të rinjtë dhe i kanë shoqëruar ata në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, është sekuestruar edhe thika që dy të rinjtë kishin me vete në momentin e ndalimit.
