Kaosi dhe radhët tejet të gjata të automjeteve përgjatë rrugës kombëtare Elbasan–Librazhd–Prrenjas po shndërrohen në një “trend” shqetësues të ditëve të para të këtij fillimviti. Një situatë që rëndohet jo vetëm nga mbizotërimi i motit të keq, i shoqëruar me reshje shiu, bore dhe ngrica për shkak të temperaturave disa gradë nën zero, por edhe nga gjendja e rënduar e vetë infrastrukturës rrugore.
Drejtuesit e mjeteve përballen çdo ditë me gropa të shumta pothuajse në çdo metër katror të trasesë së rrugës, e cila ndodhet në proces zgjerimi për shkak të punimeve në aksin Elbasan–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8. Punimet, të cilat pritet të sjellin një lehtësim të ndjeshëm të qarkullimit dhe një zhvillim të turizmit për zonat e Elbasanit dhe Korçës, aktualisht po krijojnë vonesa të gjata, bllokime trafiku dhe rrezik për aksidente.
Ndërsa pritshmëritë janë që kjo rrugë t’i vijë në ndihmë zhvillimit ekonomik dhe turistik të rajonit, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit, prej disa muajsh ajo është kthyer në një makth të vërtetë për përdoruesit e saj. Shoferët shprehen të lodhur dhe të irrituar nga pritjet e gjata, dëmtimet e mjeteve dhe mungesa e një menaxhimi më efikas të punimeve, veçanërisht në kushte të motit të përkeqësuar.
Situata kërkon ndërhyrje urgjente për përmirësimin e trasesë e cila është e “qëndisur” me gropa dhe që duhet të ketë patjetër një sinjalistikë më të qartë dhe koordinim më të mirë të punimeve, në mënyrë që ky aks jetik të mos mbetet një pengesë, por të shndërrohet sa më shpejt në lehtësim për qarkullimin dhe zhvillimin e zonës.
