Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e autoriteteve turke për ekstradimin e 32-vjeçares Julide Yazici, e arrestuar në Shqipëri nën dyshimin se kishte lidhje me një organizatë që Ankaraja zyrtare e konsideron terroriste.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Kujtim Vraniçi, rreth dy muaj pasi Gjykata e Apelit konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj shtetases turke, e cila ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Të lidhura
None found
Sipas informacionit të publikuar, Yazici kishte fituar më herët azil politik në Francë. Megjithatë, autoritetet turke e akuzojnë për pjesëmarrje në një organizatë të ndaluar dhe për ofrimin e mbështetjes logjistike ndaj saj.
Në dosjen e dërguar nga Turqia thuhet se 32-vjeçarja dyshohet se është përfshirë në protesta të zhvilluara disa vite më parë në atë vend, të cilat lidhen me mbrojtjen e të drejtave të pakicës kurde. Autoritetet turke pretendojnë gjithashtu se gjatë një kontrolli në një banesë në Stamboll janë gjetur prova materiale dhe dokumente që lidhen me çështjen.
Për këto akuza, Julide Yazici është dënuar më parë në mungesë nga drejtësia turke me 4 vite burgim.






