Protesta për ujin, shpërthejnë banorët: Kujt t’i kërkojmë llogari, Balluku si hajdute me çizme është nën hetim për vete

Banorët e Vlorës nuk largohen as nga rruga që kanë bllokuar as nga protesta që kanë nisur për ujin e pijshëm, i cili mungon prej 4 ditësh.

Edhe pse Policia ka tentuar nëpërmjet krerëve të saj të negociojë, ata refuzojnë, duke kërkuar praninë e kryetares së sapozgjedhur të Bashkisë, Brunilda Mersini, që të flasë me ta.

Nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Shpëtim Hasanaliaj, ka tentuar të negociojë me ta, por pa sukses.

Ai u ka kërkuar banorëve të lirojnë rrugën, kërkesë që nuk është pranuar prej tyre, duke kërkuar dhënie llogari dhe theksuar se edhe ministrja Balluku e institucionit të linjës, ndodhet nën hetim për vete.

“Ne nuk ikim nga sheshi nëse nuk vjen kryetarja e Bashkisë. Kemi kaq ditë me gënjeshtra! Ku janë deputetët! Duam ujë! Kujt ti kërkojmë llogari Balluku është nën hetim si hajdute me çizme për vete”, ishin disa nga thirrjet e tyre.

Prej orësh ata qëndrojnë në mes të rrugës dhe kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në shenjë proteste.

Një pjesë tjetër kanë dëmtuar tabelat e investimeve të infrastrukturës dhe ujësjellës-kanalizimeve nga kompanitë e ndryshme, duke deklaruar se “ja ku shkonin lekët e tyre”.

 


Shtuar 29.12.2025 13:00