Eksperti amerikan paralajmëron: Serbia duhet të pranojë rendin perëndimor për paqe të qëndrueshme në Ballkan

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe ekspert për Ballkanin Perëndimor, tha pas dëshmisë së tij në Kongresin Amerikan se kushti kryesor për stabilitet real dhe të qëndrueshëm në rajon është që Serbia të pranojë rendin perëndimor.

Në seancën dëgjimore të Nënkomitetit për Europën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, me temën “Pikë e nxehtë: Rruga drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, Joseph vuri në dukje rolin destabilizues të Serbisë, lidhjet me Rusinë dhe hezitimin e Perëndimit.

“Shtrova pyetjen kryesore: pse Ballkani Perëndimor, ku SHBA, BE dhe NATO kanë ndikim vendimtar, vazhdon të jetë i paqëndrueshëm? Kushti kryesor i papërmbushur është që Serbia të pranojë rendin perëndimor – të pranojë rezultatet e luftërave dhe të angazhohet drejt partneritetit strategjik me SHBA, BE dhe NATO-n, jo me Rusinë apo Kinën,” tha Joseph në një intervistë për gazetën boshnjake Avaz.

Ai gjithashtu kritikoi qasjen e Administratës Biden, duke vënë në dukje se SHBA duhet të qëndrojë e vendosur ndaj çështjes së Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), që sipas tij mund të përdoret si mjet presioni për ta orientuar Beogradin drejt Perëndimit.

Joseph theksoi se përfshirja e SHBA-së në Ballkan mund të përfundojë “dramën e papërfunduar të shpërbërjes së Jugosllavisë”, duke përfshirë anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në NATO, gjë që sipas tij do të ndryshonte marrëdhëniet rajonale dhe do të përballonte sfidat historike si Srebrenica.

Eksperti amerikan nënvizoi se, pavarësisht perceptimit të zakonshëm, popullsia serbe është më e hapur ndaj NATO-s sesa mendohet, veçanërisht nëse qeveria e Aleksandar Vuçiqit ndryshon narrativën dhe niset një rrugë drejt partneritetit me Perëndimin.

Joseph kritikoi gjithashtu qasjen e pabalancuar të SHBA ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur incidentet në veri të Kosovës, përfshirë rrëmbimin e policëve kosovarë dhe sulmet ndaj KFOR-it, ku, sipas tij, përgjegjësia i atribuhet ekskluzivisht Kosovës, duke lehtësuar veprimet e Serbisë.

Ai foli edhe për Republika Srpskan, duke e cilësuar si një gabim kardinal të Marrëveshjes së Dejtonit, që vazhdon të krijojë sfida për stabilitetin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në rajon.


Shtuar 15.12.2025 19:58