Erion Boba u vra me thikë nga bashkëmoshatari, shokët e 15-vjeçarit protestë në Durrës: Ndjehemi të pasigurtë në jetën tonë

Shokë dhe bashkëmoshatarë të Erion Bobës, 15-vjeçari i cili u vra me thikë në zonën e ish-Kënetës në Durrës, kanë protestuar sot në sheshin qendror të qytetit. Ata kanë kërkuar drejtësi për shkkun e tyre dhe dënim maksimal për autorin e ngjarjes.

I pranishëm në protestë ishte edhe vëllai i Erionit, i cili zgjodhi të mos fliste për mediat. Njëri nga shokët e viktimës deklaroi se nuk ka besim se drejtësia do ta zbardhë siç duhet këtë çështje dhe ndjejnë pasiguri për jetën e tyre.

“Nuk kam besim se drejtësia do ta zbardhë siç duhet këtë çështje. Ne ndjehemi të pasigurtë në jetën tonë, sepse ka shumë të rinj që mbajnë armë të ftohta me vete”, tha një prej shokëve të viktimës, duke kërkuar masa më të forta për ndalimin e mbajtjes së thikave nga adoleshentët.

Si nisi sherri mes Erjon Bobës dhe 14-vjeçarit në Durrës?

15-vjeçari Erjon Boba u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pranë zemrës, rreth orës 14:00 të 25 nëntorit, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt. Erjoni dhe 14-vjeçari me inicialet M.K nuk kishin lidhje me konfliktin, por po shoqëroinin persona të tjerë.

Konflikti në rrjetet sociale, me sharje dhe ofendime kishte nisur mes shokut të Erion Bobës dhe vëllait të autorit. Dy grupet e kishin lënë të takoheshin, ku Erjoni po shoqëronte me makinë shokun e tij, ndërsa autori shoqërohej nga shokët e tij.

Por takimi i tyre përfundoi me një tragjedi, ku 14-vjeçari me inicialet M.K e goditi Erjon Bobën katër herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda edhe në zemër. Pas plagosjes, Boba u dërgua urgjent në spitalin “Nënë Tereza” dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve, ku humbi jetën pas 9 ditësh në luftë me jetën.


Shtuar 12.12.2025 17:35