Këtë të premte, Alket Xhixha, 42-vjeç, është vënë në pranga në Fushë-Kuqe gjatë një operacioni të zhvilluar nga Forcat Operacionale me urdhër të SPAK.
Arrestimi i tij lidhet me deklarimet e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili ka treguar se Xhixha ka ndërmjetësuar takimin mes tij dhe Ervis Martinajt.
Sipas autoriteteve, përveç Xhixhës është arrestuar edhe Elvin Mërlika, 47 vjeç, banues në Mamurras. Të dy dyshohen se kanë luajtur role të rëndësishme në veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal, duke ndihmuar në sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e një vrasjeje.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy të dyshuarit, të cilët akuzohen për disa vepra penale të rënda, përfshirë pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.
Dy të dyshuarit ishin fshehur në një vilë të vendosur në një zonë të izoluar, pranë një lumi dhe larg zonave të banuara.
Operacioni u zhvillua në një terren të vështirë dhe të mbushur me pemë, ku autoritetet gjetën dhe sekuestruan një skaf të cilin dy personat e dyshuar e mbajnë të parkuar në afërsi të banesës së tyre.
Gjatë kontrollit të vendit, u sekuestruan si prova materiale:
Dy armë zjarri pistoleta;
Dy armë gjahu;
Dy radio komunikimi, të ngjashme me ato të policisë;
Një jelek antiplumb;
Municion luftarak.
Pas arrestimit, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për të dyshuarit, të cilët akuzohen për:
“Sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”.
“Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
“Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ky arrestim është një tjetër goditje për grupet kriminale të përfshira në aktivitete të paligjshme në vend, duke konfirmuar angazhimin e policisë për të çmontuar rrjetet kriminale dhe siguruar rendin dhe sigurinë.



