Njësia e Antiterrorit po zgjeron hetimet në lidhje me përfshirjen e mundshme të Hamza Ukës dhe Julian Cumrakut, të ndaluar me armë dhe flamurin e zi të shtetit Islamik në Orosh të Pukës, si pjesë e një grupi me prirje radikale, thanë për Ora News burime të njohura me faktet e hetimit.
Pavarësisht deklarimeve të dy të arrestuarve në polici dhe gjykatë, ku pretenduan se nuk kanë lidhje me radikalizimin, disa materiale të gjetura në banesën ku i bënë rezistencë forcave speciale sugjerojnë të kundërtën, ndaj edhe po verifikohen me kujdes.
Sipas dosjes hetimore, forcat RENEA, pas ndërhyrjes në banesën që ishte shndërruar në bazë, gjetën pesë çanta me libra për xhihadin — një term i traditës islame që ka disa kuptime dhe shpesh keqkuptohet ose keqinterpretohet.
Një prej librave ishte “44 mënyra për ta përkrahur xhihadin”, i cili, sipas ekspertëve, promovon ide të dhunshme dhe nxit mbështetjen, rekrutimin ose veprime të lidhura me xhihadizmin militant.
Dijetarë dhe institucione islame kanë bërë të qartë se ky libër nuk përfaqëson mësimet e Islamit dhe nxit interpretime të rreme.
Ndërkohë, njësia e Antiterrorit ka sekuestruar edhe dy aparate celularë — një Sony Ericsson dhe një Nokia — të cilët nga verifikimet kanë rezultuar të fikur dhe pa karta SIM.
Në polici është paraqitur edhe vëllai i Hamza Ukës, Besniku, i cili ka treguar se më 24 nëntor, ditën kur RENEA rrethoi banesën, është telefonuar nga i vëllai, i cili i ka thënë se policia kishte rrethuar shtëpinë në Orosh dhe i kërkonte ndihmë. Më pas, Besniku ka njoftuar policinë dhe është bërë pjesë e negociatave për dorëzimin.
Policia ra në gjurmë të dy të dyshuarve gjatë një kontrolli që komisariati i Pukës po kryente për kanabis sativa. Sapo efektivët panë një prej personave, ai u fut me shpejtësi brenda banesës, ndërsa nga brenda iu bë thirrje policisë: “Nuk i dorëzohem policisë i gjallë, i dorëzohem vetëm Allahut i vdekur”, duke vijuar me thirrje të tjera fetare. Në atë moment, u njoftuan forcat RENEA, dhe pas më shumë se 12 orësh, të dy u vetëdorëzuan. Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për të dy personat, ndërsa hetimet vijojnë.
