Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka nominuar kreun e partisë, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Haradinaj do të jetë edhe bartës i listës për zgjedhjet e dhjetorit, teksa partia e tij do të garojë me sloganin “Krah teje”.
Ai bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së është miratuar edhe lista me 110 kandidatë për deputetë si dhe programi zgjedhor.
Sipas tij, programi është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: “qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik”.
“Aleanca në zgjedhje niset ‘Krah Teje’, për rikthim të normalitetit në vend, zhvillim e mirëqenie, për anëtarësim në NATO dhe BE, për rikthim të partneritetit strategjik me aleatë të prirë nga SHBA, për sigurinë dhe ruajtjen e Shtetit si një të të pandarë”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Në të kaluarën, Haradinaj ka shërbyer dy herë si kryeministër i Kosovës.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti, AAK-ja garoi në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe disa parti të tjera. Koalicioni arriti të fitojë 66.256 vota apo 7.06 për qind. Nga tetë deputetë, pesë ishin nga AAK-ja dhe tre nga Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.
Deri më tani, edhe partitë e tjera shqiptare kanë nominuar kandidatët e tyre për kryeministër. Lëvizja Vetëvendosje e ka nominuar kreun e partisë, Albin Kurti, Partia Demokratike do të garojë me kreun e ri të partisë, Bedri Hamza, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës e ka nominuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku për postin e kryeministrit.
Që të katër këta udhëheqës partiakë ishin kandidatë për kryeministër edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit./REL
