Franca angazhon 3,000 mësues të rinj pas protestave, por studentët paralajmërojnë vijimin e tubimeve

Pas protestave të zhvilluara në mbarë vendin, qeveria franceze ka vendosur të angazhojë 3,000 mësues zëvendësues në rreth 500 shkolla të mesme, me synimin për të adresuar mungesën e burimeve në sistemin arsimor.

Të lidhura

None found

Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, e bëri të ditur masën të enjten në mbrëmje, pas një tjetër dite demonstratash në qytete të ndryshme të Francës. Sipas tij, përzgjedhja e shkollave do të bëhet në bazë të nevojave për staf, ndërsa shpërndarja do të koordinohet përmes një platforme të re dixhitale.

Edhe pse qeveria njoftoi masat e reja, sindikatat studentore deklaruan se mobilizimi do të vazhdojë. Ato kërkojnë hapa të matshëm dhe investime më të mëdha për përmirësimin e kushteve në shkollat e mesme.

Protestat e së enjtes përfshinë rreth 71 mijë persona në të gjithë Francën. Sipas shifrave të autoriteteve dhe organizatorëve, 24 mijë prej tyre u mblodhën në zonën e Bastijës në Paris. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit pasi disa grupe hodhën gurë dhe fishekzjarre artizanale.

Situata u tensionua edhe në qytete të tjera. Në Bordo, protestuesit plaçkitën një shkollë të mesme, ndërsa në Marsejë një zëvendësdrejtor shkolle u dhunua. Qeveria ka bërë të ditur se, që prej fillimit të protestave, janë arrestuar 6,877 persona, ndër të cilët 86 për qind janë nën 18 vjeç.

Paketa e paralajmëruar nga Geffray përfshin gjithashtu fonde shtesë për mësuesit që pranojnë të punojnë jashtë orarit. Ministri premtoi edhe se kërkesat e studentëve do të shqyrtohen gjatë debatit për buxhetin e shtetit për vitin 2027.

Megjithatë, njoftimi nuk i ka bindur përfaqësuesit e lëvizjes studentore. Ata shprehen se deklaratat e qeverisë duhet të pasohen nga rezultate konkrete dhe masa që ndikojnë drejtpërdrejt në kushtet e arsimit.

Të premten, rreth 140 shkolla të mesme u mbyllën tërësisht ose pjesërisht, nga një total prej rreth 3,500 shkollash. Numri ishte më i ulët se në ditët e mëparshme, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar protesta të tjera të martën e ardhshme.


Shtuar më 9.10.2026 17:27