U plagos nga bashkëmoshatari i tij, gjyshja e Erionit flet mes lotësh: Nipi ynë u vra dy here, pse dalin fajtorët nga burgu?

Erion Boba, 15-vjeç, ka ndërruar jetë mbrëmë në QSUT, pas një sulmi me thikë nga një bashkëmoshatar i tij në qytetin e Durrësit.

Tragedia e rëndë ka lënë pas një dhimbje të thellë te familjarët e tij, ndërsa gjyshja e të riut ka shpërndarë një mesazh prekës, duke theksuar se nipi i saj u vra dy herë: një herë nga bashkëmoshatari dhe një herë nga shteti, që sipas saj, nuk ndërmori asnjë masë për të mbështetur familjen dhe për të lehtësuar dhimbjen në këto momente të vështira.

Ajo iu drejtua me një letër gazetares Klodiana Lala, duke theksuar se shteti nuk ndërmerr asnjë hap lidhur me çështjet e tilla që ndodhin në shkolla.

Gjyshja e Erionit, thekson se në vend që shteti të angazhohej për të forcuar mbështetje për të rinjtë dhe të luftonte dhunën në shkolla, duke siguruar praninë e psikologëve dhe kontrollin e akteve të dhunshme, politika shqiptare është përqendruar më shumë në çështje të tjera, siç është diskutimi mbi gjinitë.

Letra e gjyshes së Erionit:

Ai u vra dy herë!

Një herë nga vrasësi dhe një herë nga shteti

Asnjë reagim as nga policia,as nga media,as psikolog për të afërmit,jemi në një dhimbje që nuk po kemi më zemër ta mbajmë…kam ditë që përpiqem ta bëj mediatike të vërë dorë shteti apo dikush tjetër dhe të gjithë u vonuan,të gjithë panë një tjetër gjë më të rendesishme (politikën që po vret të rinjtë tanë)

O moj Shqipni, e mjera Shqipni…

Unë jam poete dhe po mbaj zemrën me dorë, po lutem të kemi tjerët…por më ka shkuar frika në palcë…kur do ndalojnë këto dhimbje, këto plagë për Shqipërinë tonë, për ne nënat që na dridhen këmbët…ku është ligji?

Pse dalin fajtorët nga burgu pas dy vjetësh?

Pse nuk funksionojnë psikologët nëpër shkolla të flitet për tema të tilla rrezikshmërie, jo për “gjinitë”.

Pushtetarët po vrasin kombin shqiptar…dhe unë këtë do ta them në çdo ditë timen, në çdo shkrim e varg…unë nuk do mundet askush të më ndalojë derisa të mos vriten më fëmijë në kombin tim. Jemi bërë me trauma…edhe media ka fajet e veta…populli (Ne)nuk dimë më ku ta kërkojë të drejtën… gjithsesi më lër të tfalenderoj që mu përgjigje në telefon dhe me mesazhe…fati i Erionit tonë paska qenë bota e përtejme, sepse në këtë botë paska kriminela kudo.

Erion Boba, vetëm 15 vjeç, u godit me thikë nga një bashkëmoshatar gjatë një përleshjeje të nxitur nga një debat online. Katër plagë i përshkuan gjoksin, një prej të cilave në zemër, që rezultoi të ishte fatale për të miturin. Jo më larg se dy ditë më parë, familja e Erion iu bëri thirrje shqiptarëve për ndihmë, pasi shpresat te shteti shqiptar duket se u shuan. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalin e Durrësit, dhe më pas të atyre në QSUT, Erioni nuk ia doli, duke u bërë rasti i dytë në pak kohë, pas atij të Martin Camit, ku nxënësit vriten pas konflikteve të nisura në shkollë.

Autori, 14-vjeçar ka shprehur pendesë përpara grupit hetimor, ku me keqardhje deklaroi se nuk kishte qëllim për të vrarë 15-vjeçarin. Sipas dëshmisë mësohet se në sherr janë përfshirë shumë persona, bashkëmoshatarë, të ndarë në grupe. I mituri deklaroi se ishin pajisur me mjete të forta, si masë për ndonjë konflikt të mundshëm. Ditën e ngjarjes, pasi kanë debatuar dhe qëlluar me sende të forta, 14-vjeçari ka nxjerrë thikën, por sipas tij për vetëmbrojtje dhe vetëm për ta trembur.


Shtuar 5.12.2025 10:56