Ish-drejtori i Policisë Rrugore, Roven Zeka, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe më pas në Gjykatën e Posaçme, ku zhvillohet seanca paraprake e procedimit penal ndaj tij.
Zeka qëndroi rreth një orë në ambientet e SPAK për procedura të lidhura me çështjen, para se të shkonte në gjykatë.
Seanca paraprake ka për qëllim shqyrtimin e ligjshmërisë së aktakuzës, pranueshmërinë e provave dhe respektimin e standardeve procedurale gjatë hetimit. Në bazë të rezultateve, gjykata mund të vendosë që dosja të kalojë për gjykim të plotë, të kthehet për hetime shtesë, ose të rrëzohet pjesërisht ose në tërësi.
Roven Zeka u arrestua më 19 prill me urdhër të SPAK. Gjithashtu Prokuroria e Posaçme lëshoi urdhërarrest edhe për shefin e sektorit të Aksidenteve, Sokol Novaku, si edhe për Oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku.
Ata akuzohen për korrupsion në një rast ku janë mbuluar pasojat e një aksidenti ku nga përplasja e dy automjeteve, ku 5 persona kanë përfunduar në spital.
Zyrtarët e Policisë Rrugore të Tiranës dyshohet se morën ryshfet për të mbyllur çështjen në rrugë, ndërkohë që asnjë institucion nuk bën me dije se çfarë ka ndodhur me 5 qytetarët e plagosur në atë përplasje mes dy automjetesh me datë 16 prill.
Të tre efektivët akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni Ergest Vrioni, për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident më 16 prill.

