Vendimi i Gjykatës së Posaçme për zv/kryeministren Belinda Balluku është zbardhur. Mësohet se në vendimin e sotëm, GJKKO ka lënë në fuqi masat e furmosura dy ditë më parë.
Ndaj Belinda Ballukut janë caktuar masat e sigurisë së pezullimit nga detyra dhe ndalimit për daljen jashtë shtetit. Ndërsa ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli është caktuar masë “arrest shtëpie”.
Vendimi i GJKKO:
Kërkuesi Prokuroria e Posaçne kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin Nr. 118, datë 19.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 120, datë 22.11.2025, vendosi: Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e **** me adresë: ****
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 22.11.2025 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Çështja për Ballukun ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa asaj i është hequr e drejta e firmës nga qeveria.
