Ditën e sotme, ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, shkoi në GJKKO, ku qëndroi aty për gati 40 minuta.
Gjykata e Posaçme zhvilloi sot, në orën 09:00, seancën gjyqësore për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të masës së sigurisë ndaj Belinda Ballukut, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit.
Pas daljes nga seanca, Balluku nuk iu përgjigj asnjë prej pyetjeve që gazetarët i bënë.
SEANCA
Në një lidhje live, gazetarja Klodiana Lala, raportoi se Balluku duket se ka përforcuar mbrojtjen e saj.
Mësohet se krahas motrës, Pamela Qirko, pjesë e ekipit është dhe avokati Ardian Kalia.
GJKKO thekson se tre të pandehurit janë pjesë e procedimit penal nr. 136/2025 të SPAK-ut, që lidhet me procedurat e tenderave për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës, ku dyshohen për paracaktimin e kontraktorëve fitues.
Seanca po zhvillohet për marrjen në pyetje, si edhe verifikimin e kushteve, kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli e Erald Elezi.
Gjykata e Posaçme vendosi dy ditë më parë masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun, si dhe i ndaloi daljen jashtë vendit.
Ndërsa për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Çështja për Ballukun ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa kryeministri Edi Rama, në deklaratën e tij të parë publike për këtë çështje, theksoi se do ta respektonin vendimin, por do ta çonin në Kushtetuese pasi ishte cenuar pushteti ekzekutiv. Dhe pak orë pas deklaratës së tij, dje në mesditë, Kryeministria çoi në Kushtetuese kërkesën për ankimim të vendimit të GJKKO.
Balluku po hetohet për tenderin e tunelit të Llogarasë, si dhe për lotin nr.4 të Unazës së Madhe, ndërsa akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.

