Ministrja Delina Ibrahimaj: Jemi më pranë BE-së, Shqipëria është rritur, paga mesatare ka arritur në 850 euro

Ditën e sotme, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka mbajtur fjalën e saj në Parlament, ku theksoi se arsyeja pse Partia Socialiste fiton zgjedhjet lidhet me faktin se; “thotë atë që bën dhe bën atë që thotë”, duke shtuar se shqiptarët e kanë vërtetuar këtë ndër vite.

Ibrahimaj rikujtoi premtimet e bëra gjatë zgjedhjeve të këtij viti, duke nënvizuar se progresi në anëtarësimin në Bashkimin Europian, rritja e pensioneve dhe përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve kanë qenë angazhime të përmbushura, të cilat, sipas saj, përbëjnë shtyllat kryesore të buxhetit të prezantuar nga qeveria.

Ministrja e cilësoi këtë javë si një moment historik në marrëdhënien e Shqipërisë me BE-në, duke theksuar se komisionerja Marta Kos e ka përshkruar progresin e vendit si “mbresëlënës”.

Sipas Ibrahimajt, Shqipëria sot është “më pranë se kurrë BE-së”, ndërsa theksoi se të ardhurat janë shtuar, paga mesatare ka arritur në 850 euro, ekonomia është konsoliduar dhe mirëqenia vijon të rritet.


Shtuar 19.11.2025 15:33