Tabaku ngre alarmin para seancës plenare: 530 milionë euro nga xhepat e qytetarëve për buxhetin e pakicës

Një ditë para diskutimit në Kuvend të projektbuxhetit 2026 dhe paketës së re fiskale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një video ku shpjegon se si qeveria po synon të marrë 530 milionë euro shtesë nga qytetarët shqiptarë, një barrë që sipas saj bie padrejtësisht mbi shumicën, ndërsa përfitimet përfundojnë tek një pakicë e privilegjuar.

Tabaku thekson se një e treta e të ardhurave të reja, vijnë nga rritja e pagës minimale, që çon automatikisht në rritje të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punonjësve dhe të shtresës së mesme.

Një e treta tjetër, sipas deputetes, vjen drejtpërdrejt nga rritja e çmimeve. Të ardhurat nga TVSH, shpjegon ajo, janë rritur për shkak të inflacionit dhe jo për shkak të zhvillimit të ekonomisë, duke e bërë qytetarin e thjeshtë “sponsorin kryesor” të buxhetit të shtetit.

Pjesa e mbetur e të ardhurave shtesë lidhet me ndryshime të reja tatimore, ku Tabaku kritikon veçanërisht rritjen e taksimit nga 5% në 15% për zhvilluesit e software-it. Ajo ngre pyetjen pse qeveria nuk prek me të njëjtën logjikë sektorët me fitime të mëdha, si hotelet me 5 yje apo kompanitë koncesionare, duke vënë në dukje se “barrën e ndajnë gjithmonë ata që punojnë dhe prodhojnë, ndërsa privilegjet mbeten të njëjtëve”.


Shtuar 18.11.2025 15:42

Tags: ,