Këtë të hënë, Partia Demokratike mban sot protestën para Kryeministrisë. Sipas selisë blu, aksioni opozitar do të jetë i përjavshëm, në formën e një platforme parlamente me podium dhe foltore në Bulevardin e kryeqytetit, ndërsa thirrja e një proteste kombëtare i përket një momenti tjetër, javët në vijim. Pritet që deputetë dhe qytetarë të mbajnë fjalime.
E hëna e 17 nëntorit do të shënojë dhe tubimin e parë të PD-së pas zgjedhjeve të 11 majit.
Organizimin e sotëm, Partia Demokratike, e ka quajtur si “Parlamenti para Kryeministrisë”.
Opozita proteston pas zbulimit të aferës 50 mln euro të Belinda Ballukut te tuneli i Llogarasë, ku u mor edhe e pandehur nga SPAK, dhe për ngushtimin e hapësirave në Kuvend.
Partia Demokratike, akuzon mazhorancën se nuk lejon zhvillimin normal të seancave parlamentare.
Kreu i PD, Sali Berisha, njoftoi se iniciativa synon të krijojë një hapësirë për opozitën dhe të rikthejë debatin politik:
“Nesër Partia Demokratike ndërmerr hapin më të rëndësishëm kundër narkoparlamentit të kontrolluar nga Ramaduro. Fillimi i platformës parlamentare përpara kryeministrisë! Kjo është alternativa e vetme që mbetet, pasi parlamenti kalon qeverinë, programin dhe buxhetin pa debat! Në kushtet që opozita lejohet të flasë vetëm 1 herë nga 9 seanca parlamentare”, shkroi Berisha dje në rrjetet sociale.
Ndërkohë, Kryeministria është “blinduar” me mbrojtëse metalike, si masë për protestaën e sotme.
