Këtë të enjte, për herë të parë një mbledhje e përbashkët do të zhvillohet mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane në Romë, mbledhje e cila shënon dhe nivelin më të lartë të bashkëpunimit mes dy shteteve.
Shqipëria dhe Italia gëzojnë një numër të madh marrëveshjesh të nënshkruara apo projektesh të zhvilluara bashkërisht, në fusha si mbrojtja, shëndetësia, teknologjia, infrastrukturë, ekonomi e deri tek mbështetja për Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në vitin 2010, dy shtetet firmosën Deklaratën e Partneritetit Strategjik.
Në agjendën e ditës së sotme, është parashikuar edhe shkëmbimi i Marrëveshjeve Dypalëshe dhe Memorandumeve të Mirëkuptimit.
Në fund të muajit tetor, qeveria miratoi në parim një marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për të paktën 10 sektorë.
Pikërisht kjo marrëveshje do të jetë ajo që pritet të nënshkruhet mes Kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane Giorgia Meloni.
Mësohet se 10 ministra të Qeverisë, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, do të udhëtojnë drejt Romës.
Në orën 11:40 është parashikuar takimi mes Edi Ramës, dhe Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni.
Në orën 12:30 do të nisë mbledhja e përbashkët me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dy vendeve, ndërsa rreth orës 14:00 pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe memorandumeve në fusha si: mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura.
