VIDEO/ Presidentja meksikane sulmohet seksualisht, burri e prek dhe përpiqet ta puthë

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum është sulmuar seksualisht nga një burrë, ndërsa po komunikonte me qytetarët në rrugë.

Ngjarja u regjistrua në video dhe u publikua nga Daily Mail, duke shkaktuar valë zemërimi në rrjetet sociale. Në pamjet e publikuara, sulmuesi shihet duke u përkulur drejt Sheinbaum dhe duke tentuar ta puthë në qafë pa pëlqimin e saj, teksa ajo po fliste me mbështetësit në një rrugë historike të Mexico City.

Burri, i cili duket se ishte në gjendje të dehur, afrohet dhe i vendos duart në gjoks, ndërsa presidentja reagon me qetësi dhe i largon duart.

“Do ta bëjmë foton, mos u shqetëso,” i tha ajo burrit, duke ruajtur qetësinë e saj, ndërsa vetëm më pas një anëtar i ekipit të sigurisë ndërhyri.

Incidenti ka shkaktuar tërbim në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë vënë në pikëpyetje reagimin e ngadaltë të sigurisë presidenciale.

“Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum u sulmua nga një burrë i dehur në publik. Ku ishte sigurimi i saj?”, shkroi një përdorues në platformën X (ish-Twitter).

“Nëse Meksika nuk mund ta mbrojë Presidenten e saj, si mund të mbrojë qytetarët e zakonshëm?”
Të tjerë e quajtën “të pabesueshëm” reagimin e dobët të truprojave.

Sipas mediave lokale, burri u arrestua menjëherë pas incidentit, ndërsa zyra e Presidentes nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare. Sekretariati për Gratë, Institutet e Grave në Entet Federale dhe Komitetet për Barazi Gjinore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, dënuan ashpër sulmin.

Meksika prej vitesh përballet me nivel të lartë dhune ndaj grave, që varion nga ngacmimet në rrugë deri te format më ekstreme, si sulmet me acid dhe vrasjet mizore të grave (femicide).


Shtuar 5.11.2025 19:39