Erion Veliaj paraqitet sot në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar shkarkimin

Këtë të premte, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të jetë i pranishëm në seancën publike që do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimi i tij ndaj vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra.

Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar një shkresë Veliajt, në cilësinë e palës në proces, duke e pyetur nëse dëshironte të merrte pjesë personalisht në seancë.

Më 13 tetor, gjykata ka njoftuar gjithashtu Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, duke e informuar për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe për marrjen e masave të nevojshme në rast se Veliaj do të shprehte vullnetin për të qenë i pranishëm.

Erion Veliaj, ka paraqitur ankim në Gjykatën Kushtetuese më 25 shtator, kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij, vendim i cili ishte propozuar më parë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj, dekretoi zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e Tiranës, por ky dekret u pezullua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të përkohshëm, derisa të jepet vendimi përfundimtar mbi çështjen e shkarkimit të Veliajt.

Kjo do të jetë hera e parë që Veliaj lë qelinë e paraburgimit, prej arrestimit të tij në 10 shkurt të këtij viti.

Ai u arrestua pasi Gjykata e Posaçme, firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK, për vepra penale të korrupsionit, i kryer nëntë herë në bashkëpunim.


Shtuar 31.10.2025 07:32