PS refuzoi ngritjen e komisioneve hetimore, opozita braktis sallën e Kuvendit! Ja mesazhi për deputetët e PD

Deputetët e opozitës kanë braktisur seancën e sotme plenare në Kuvend, pas refuzimit nga mazhoranca të kërkesës për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare për çështjen “McGonigal” dhe zgjedhjet e 11 majit.

Sipas opozitës, largimi i deputetëve nga salla e Kuvendit u bë në shenjë proteste ndaj shkeljes së hapur të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.

Në vijim të kësaj proteste, Partia Demokratike ka njoftuar thirrjen e një mbledhjeje të posaçme të grupit parlamentar të premten datë 31 tetor, ora 12:00.

“Të nderuar kolegë, nesër, e premte, datë 31 tetor, ora 12:00, do të zhvillohet mbledhje e posaçme e Grupit Parlamentar të PD lidhur me situatën e krijuar sot në Kuvend me mohimin e të drejtave kushtetuese të opozitës. Lutem të mos ketë asnjë mungesë për shkak të rëndësisë së mbledhjes”, thuhet në mesazhin drejtuar grupit të PD-së.

Kujtojmë se në rend dite në seancën e sotme plenare ishin:

-Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal”.

-Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.

Në seancën e sotme plenare, deputeti i Partisë Socialiste Bledi Çuçi ka komentuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen McGonigal, ku theksoi se pavarësisht dakordësisë për shqyrtimin e kërkesës, dokumenti i paraqitur nuk përmbush kriteret ligjore të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.

Ai u shpreh se komisoni hetimor për McGonigal nuk mund të ngrihet, pasi sipas tij Kuvendi i Shqipërisë nuk ka juridiksion për të hetuar procese penale të mbyllura nga drejtësia e SHBA-ve.

“Kuvendi nuk ka kompetencë në lidhje me shtetasin McGonigal. Kushtetuta përcakton saktë që Komisionet Parlamentare janë instrumente të kontrollit parlamentar mbi kontrolle ndaj institucioneve shqiptare brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në rastin konkret, cështja McGonigal është hetuar dhe gjykuar në SHBA.

Ish-agjenti është dënuar nga një gjykatë federale amerikane për veprimet e kryera në shkelje të ligjeve të SHBA dhe jo të Shqipërisë. Në asnjë dokument zyrtar, të hetimeve amerikane, nuk ekziston asnjë akuzë ndaj ndonjë zyrtari shqiptar. Prandaj Kuvendi i Shqipërisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore dhe as juridiksion për të hetuar një proces penal të mbyllur tashmë nga drejtësia amerikane.

Kuvendi nuk mund të kthehet në një tribunal që rishikon vendimet gjyqësore të huaja apo që heton veprimet e një shteti të huaj në juridiksionin e një shteti tjetër. Një veprim i tillë do të krijonte një precedentë të rrezikshëm Kushtetutës dhe do të cenonte themelet e shtetit.”, tha Çuçi.


Shtuar 30.10.2025 21:51

Tags: , ,