Manja zhvesh xhaketën në parlament, Berisha: Ku i ke kostumet dhe çantën Louis Vuitton 500 mijë euro? Deputeti: Të sfidoj dhe ty të zhvishesh dhe t’i çojmë për ekspertim tekstili

Kreu i PD-së Sali Berisha pati një përplasje sot me nota humori me deputetin socialiste Ulsi Manja në parlament.

Teksa Berisha po fliste duke prezantuar kërkesën për komision hetimor për çështjen McGonigal, kryedemokrati akuzoi Manjën për shpenzime marramendëse për kostume.

Ky i fundit hoqi xhaketën dhe sfidoi Berishën për transparencë se cila nga xhaketat kushton më shumë.

Berisha: Nga telefoni jot e kërcënoi Rama gjykatësin, je i inkriminuar, të bëri “kokë turku”. Ato kostumet ku i ke ti? Ku i ke ato kostumet, i ke fshehur. I ke fshehur ato të Altin Hajrit. Ku i ke? Të ka dhënë dy, jo një. E nxore dhe është i lirë sot. Ku e çantën Louis Vuitton, 500 mijë eurot. Do përfundosh në kërkim si Altin Hajri, nuk ke shpëtim. E akuzova unë, tha jo nuk kam qenë unë në Vjenë, ka qenë Etilda.

Manja: Sali që të merremi vesh, ty të ka zënë sindroma e Stokholmit dhe nuk rri dot pa mua në këtë seancë. I ke përmend këto kostumet pafund. Unë të sfidoj, çfarë kostumesh vesh Ulsi Manja dhe çfarë vesh Sali Berisha, t’i nxjerrim, sa bën e jotja dhe sa bën e imja. E dyta, ta kam thënë që unë nuk pres të më dal kush e të më shoqërojnë në raportin tim më drejtësinë, atë ditë që do kërkojë një shërbim prej meje do e respektoj. Sa për çantën “Louis Vuitton” kam pyetur ChatGtp nëse ka çantë 500 mijë euro, më ka thënë s’ka, kush ta ka thënë. Sa për kostumet të sfidoj, jam gati të vij aty te ti dhe ta nxjerrim dhe xhaketën dhe ti dhe unë dhe ta çojmë për ekspertim tekstili, se vetëm copa jote bën 2 mijë euro, pa hak pune.


Shtuar 30.10.2025 20:35

Tags: ,