Teksa në Serbi po zhvillohen zgjedhjet, një autobus është nisur nga Mitrovica drejt këtij shteti, duke transportuar pjesëtarë të komunitetit rom për të votuar.
Transportimi i votuesve romë po organizohet gjithashtu nga Plemetini i Obiliqit drejt Serbisë.
Të lidhura
None found
Një qytetar i ka deklaruar KosovaPress-it se autobusi, pasi ka dërguar një grup votuesish, është kthyer përsëri për të marrë edhe grupin e dytë.
Sipas dëshmisë së tij, shpenzimet e udhëtimit për këta votues po mbulohen, ndërsa atyre po u premtohen nga 100 euro në këmbim të votës për Partinë Progresive Serbe (SNS). Pagesa, sipas pretendimeve, do të bëhet pasi të përfundojë procesi i votimit.
Ndërkohë, burime nga institucionet e sigurisë kanë thënë se disa serbë që jetojnë në Kosovë po përballen me presion dhe shantazh për të votuar për partinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se votuesve u janë dhënë udhëzime të hollësishme se si të votojnë dhe u është thënë se ekzistojnë mënyra për të kontrolluar nëse ata e kanë mbështetur SNS-në.






