Nuk ka kthim pas/ BIRN: Përpjekja për të shtypur protestën shton zemërimin në Tiranë

Në orën 2:30 të pasdites të së shtunës, atmosfera përpara Kryeministrisë ishte e qetë. Edhe forcat e policisë, shumë prej të cilave ishin vajza të pozicionuara në shkallë ose gjatë bulevardit, dukeshin po aq të qeta. I vetmi tingull që dëgjohej vinte nga radiot e tyre.

“Shpërndajini. Janë dyzet veta… Është ai me blu organizatori,” u dëgjua në radio urdhri për protestuesit që në atë çast ndodheshin përpara Ministrisë së Arsimit në rrugën e Durrësit.

Të lidhura

None found

Brenda më pak se 10 minutash, qindra qytetarë që kishin protestuar para Ministrisë së Arsimit u zhvendosën drejt sheshit “Skënderbej” dhe rrugëve paralele, duke u përpjekur t’i shmangeshin gazit lotsjellës, për t’u rigrupuar më pas përballë Kryeministrisë.

Aty turma filloi të rritej. Nga rrugët e shumta që derdhen në bulevard, mijëra protestues, kryesisht të rinj e të reja, u dyndën në shesh. Në mesin e tyre kishte grupe të organizuara, të veshura me një lloj uniformiteti të improvizuar, që u vendosën në krye të marshimit. Pas tyre, disa mijëra qytetarë të tjerë ecën paqësisht duke thirrur për dorëheqjen e kryeministrit.

Protesta e së shtunës bën pjesë në valën e demonstratave anti-qeveritare, që filluan më 31 maj në mënyrë paqësore kundër projektit për një resort turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Në tetor, këto protesta morën një kthesë të dhunshme me përplasje të përditshme mes policisë dhe qytetarëve.

Të nxitur nga skandalet e njëpasnjëshme të qeverisjes, shtrenjtimi i jetesës dhe dhjetëra pakënaqësi të tjera, demonstratat kanë sjellë në rrugë studentë, profesionistë dhe qytetarë të thjeshtë, me kërkesën qendrore për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Në orën 3:05 të pasdites, qytetarët vazhdonin ende të marshonin në bulevard. Në ballë të protestës, para Kryeministrisë, kishin nisur ndërkohë përplasjet e zakonshme mes disa dhjetëra protestuesve dhe policisë, por kjo nuk dukej se ndikonte tek pjesa tjetër e turmës. Megjithatë, vetëm 5-6 minuta më vonë, mijëra protestues paqësorë që gjendeshin qindra metra larg zonës së përplasjeve u goditën nga pas me gaz lotsjellës.

Brenda pak minutash, dhjetëra forca policie dhe autoblinda me topa uji i ndanë protestuesit në dysh, duke rrethuar një pjesë të konsiderueshme të tyre që ndodheshin midis urës së madhe mbi Lanë dhe Galerisë së Arteve. Të zënë në kurth, protestuesit u përpoqën të rezistonin duke hedhur gurë në të dyja drejtimet, por policia e mbuloi gjithë bulevardin me gaz lotsjellës.

Dhjetëra granata gazi u hodhën në pak minuta, duke krijuar një mjegull të dendur mbi parkun “Rinia” dhe bulevardin ngjitur, ndërsa protestuesit u shpërndanë drejt rrugës “Myslym Shyri”, te Pedonalja, te Unaza dhe rrugë të tjera lidhëse. Shumë shpejt sheshi mbeti bosh, ndërkohë që grupe policie i ndoqën protestuesit në disa rrugë.

Megjithatë, protestuesit u riorganizuan brenda 30 minutash. Një grup prej gati 200-300 personash qëndroi përballë policisë në hyrje të parkut “Rinia”. Mijëra të tjerë u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej”, përballë një mase policore që bllokonte daljen në bulevard. Aty protestuesit hodhën gurë dhe molotovë, ndërsa policia u përgjigj me gaz dhe plumba gome.

E lagur krejtësisht nga uji i hedhur prej policisë dhe me sy të skuqur nga gazi, një vajzë 28-vjeçare i tha BIRN se rezistenca ishte e vetmja rrugë.

“Po ikna sot, s’kena të ardhme. Do ikim krejt nga këtu, po ikëm sot nga Tirana”, tha ajo, teksa po merrte veten në një zonë pa gaz.

Shumica e protestuesve ndajnë bindje të ngjashme.

“Unë di të them që nuk ka kthim pas”, thotë një burrë që prezantohet si pedagog në Universitetin Politeknik, i cili shpjegon se ka dalë në protestë për shkak të pakënaqësive të akumuluara.

Sipas tij, fakti që njerëzit i rezistojnë bombardimit me gaz dhe kthehen sërish në protestë është shenjë se ajo nuk do të ndalet. Megjithatë, burri nuk e jep emrin, sepse, ashtu si një pjesë e madhe e protestuesve, punon në administratë.

“Administrata është më e pakënaqura me kryeministrin”, thotë ai, duke shtuar se të gjitha skandalet e ndodhura e kanë bërë administratën publike të ndihet gjithnjë e më keq, ndaj nuk sheh rrugë tjetër përveç vazhdimit të protestave.

Një protestuese që e shoqëron tregon se ata ishin kthyer së bashku në Shqipëri në vitin 2013, pasi kishin studiuar jashtë, dhe tani ndodheshin në shesh me shpresën se vendi mund të ndryshonte dhe të mos detyroheshin të iknin përsëri. Gruaja, e cila thotë se ka studiuar për piano, vëren se pakënaqësitë janë të përhapura gjerësisht.

“Po të shikosh ka njerëz të shtresave dhe të moshave të ndryshme, fizionomive të ndryshme. Tregon që kjo gjë e ka prekur një pjesë shumë të madhe të popullsisë sesa një grupim”, tha ajo.

Frika e punonjësve të administratës për t’u identifikuar nuk duket e pabazuar. Një ish-punonjëse e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, tregon se u pushua nga puna në korrik, pasi kishte marrë pjesë në protestat e qershorit. Ajo thotë se arsyen e largimit e kishte mësuar përmes miqve brenda institucionit dhe thekson se në administratë nuk ka meritokraci, por vetëm “patronazhistë”.

“Unë aktualisht jam hequr nga puna, edhe pse kisha CV-në më të plotë e të kualifikuar në ARRSH pas një vit e gjysmë punë atje. I kam bërë mesazh në privat Kryeministrit për ta vënë në dijeni për situatën, dhe zoti Kryeministër nuk i dha dot zgjidhje. Nuk i jep dot më zgjidhje Shqipërisë ai,” thotë ajo, ndërsa shfaq në telefon mesazhin e mbetur pa përgjigje.

Pas 12 ditësh protesta të dhunshme, ajo shton se zemërimi i qytetarëve vetëm sa është shtuar.

“Ajo që shikoj unë është që populli është akoma më i acaruar, sepse këto reformat që ne deri tani ngrinim tabelat në mënyrë paqësore që të mos miratoheshin në Parlament, ai nuk i dëgjoi fare,” thotë gruaja.

“Populli do jetë, do vazhdojë të jetë në shesh edhe për shumë kohë. Edhe për shumë kohë, paqësisht apo me dhunë”.

Në sheshin “Skënderbej”, mes granatave të gazit lotsjellës që rrëshqasin në pllaka e të tjerave që hidhen mbi kokë, Ardi, një 19-vjeçar që studion Mjekësi në Budapest, tregon se ka ardhur posaçërisht për protestën, me shpresën se vendi mund të ndryshojë. Shoku i tij që e shoqëron shtrëngon hundët për t’u mbrojtur nga gazi, ndërsa e sheh ndryshimin të lidhur vetëm me ndryshimin e klasës politike.

“Pse ky shtet kontrollohet nga persona që nuk ia duan të mirën këtij vendi? Unë jam 18 vjeç, ai ka qenë shumicën e jetës time në fuqi edhe nuk na ka lënë mundësi përveç një sistemi të ri,” thotë ai, teksa një valë e re gazi mbulon sheshin.

Ndërsa heq maskën kundërgaz dhe syzet, Mishel, një studente e Regjisë së Filmit në Akademinë e Arteve, shprehet se e vetmja arsye pse ajo dhe qindra moshatarë durojnë prej ditësh me radhë gazin lotsjellës dhe dhunën, është shpresa se gjërat do të ndryshojnë.

“Shpresa. Shpresa se ndoshta, Shqipëria jonë e vogël me kaq shumë histori dhe me kaq shumë vlera do t’ia dalë që të bëhet një shtet ku të gjithë shqiptarët janë të lumtur. Shpresa është ajo që na mban çdo ditë këtu,” thotë Mishel.

Për të dhe të rinjtë e tjerë, protestat e fundit janë e vetmja shpresë përballë një mase të madhe pakënaqësish.

“Gjithë studentët shqiptarë vuajnë, sakrifikojnë për të bërë një copë shkollë dhe për të marrë dije. Dija duhet të ishte kudo pa pagesë. Dija duhet të ishte kudo e dhuruar, sepse është ajo që i çon përpara që të gjithë,” vijon Mishel, teksa përshkruan një Shqipëri ku familjet mezi ia dalin në fund të muajit.

Ndërsa mbrëmja bie mbi Tiranë, era e rëndë e gazit lotsjellës mbetet ende pezull mbi rrugët e qytetit. Protesta ndërkohë vijoi për orë të tëra, me përplasje në disa pjesë të tjera të qytetit. Deri pas orës 20 të mbrëmjes nuk ishte bërë ende publik një bilanc i të lënduarve, ndërsa pas rënies së muzgut, policia përsëriti skemën e sulmit në rrugica duke ndaluar dhe goditur qytetarë.


Shtuar më 25.10.2026 12:34